Alarm nga aktivizimi i vullkanit në Kili, evakuohen mijëra persona

23/04/2015 00:00

Vullkani “Calbuco” në jug të Kilit është aktivizuar pas më shumë se 4 dekadash, duke lëshuar një re gjigande hiri në qiell.

Shërbimet e emergjencës dhanë alarmin e kuq dhe rreth 1500 persona janë evakuuar nga qyteti Ensenada, si një masë paraprake, kanë thënë autoritetet vendase.

“Calbuco” ndodhet pranë qytetit turistik Puerto Varas, rreth 1000 kilometra në jug të kryeqytetit, Santiago. Ai ka qenë një nga vullkanet më aktive në Kili në të kaluarën, ndërsa shpërthimi i fundit është regjistruar në vitin 1972.

Autoritetet thanë se shpërthimi nuk ishte parashikuar, ndërsa deri tani nuk është parë llava e vullkanit, por vetëm hiri i cili ka krijuar re gjigande.

Zyra e Emergjencave Kombëtare në Kili ka urdhëruar evakuimin e banorëve në një rreze prej 20 kilometrash nga vullkani dhe ndalimin e fluturimeve mbi të. Kili ka zinxhirin e dytë më të madh të vullkaneve në botë pas Indonezi, me rreth 500 të cilët janë potencialisht aktivë.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel