Maqedoni, Zaev përgëzon qytetarët që shmangin konfliktin etnik

23/04/2015 00:00

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev vlerëson se qytetarët e Maqedonisë nuk do të lejojnë që vendi të përfshihet në ndonjë konflikt ndëretnik.

Lidhur me sulmin ndaj policisë maqedonase, Zaev vlerëson se ai mund të jetë një skenar i pushtetit ose të jetë kryer nga ndonjë grup banditësh. Megjithatë, lideri i opozitës maqedonase tha se incidentet e tilla nuk mund të rrezikojnë sigurinë e vendit.

“Momentalisht garanci për sigurinë e Maqedonisë janë qytetarët e të gjitha bashkësive etnike. Cilado qoftë e vërteta e sulmit ndaj policisë, përgjegjësi duhet të mbajë ministri i Punëve të Brendshme dhe shefi i Policisë Sekrete”, tha Zaev.

Situatën e krijuar pas sulmit ndaj policisë e kanë komentuar edhe ekspertët maqedonas të sigurisë. Disa prej tyre vlerësojnë se situata është e qëndrueshme dhe nuk ka rrezik për konflikt ndëretnik në vend. Ata thonë se Kosova dhe shqiptarët kanë prioritetet e tyre dhe nuk mendojnë për destabilizimin e Maqedonisë.

“Pala kosovare nuk është e interesuar për incidente të tilla, sepse Kosova si shtet i ri ka interesa ta dëshmojë pjekurinë e vetë si subjekt shtetëror dhe të afrohet tek standardet dhe anëtarësimi në BE dhe në NATO. Popullata në Maqedoni nuk ka gjithashtu asnjë interes që ta destabilizojë vendin, sepse janë të interesuar të avancojnë standardin e tyre jetësor”.

Për situatën e fundit ka diskutuar edhe kreu më i lartë shtetëror në Shkup. Por në takimin e thirrur nga Presidenti maqedonas nuk ishte prezent asnjë funksionar shqiptar.

Ndërkohë, policia ka shtuar prezencën në rajonin e Likovës, ndërsa fshati dhe stacioni policor që u sulmua një të martën po mbahen të izoluara nga forcat maqedonase të sigurisë.

Megjithatë policia maqedonase nuk ka lejuar gazetarët e mediave në gjuhën shqipe që të lëvizin drejt vendit ku ndodhi sulmi.  

Top Channel