Ligji i ri për energjinë, Rama: Morëm një sistem të falimentuar e të zhytur në borxhe

23/04/2015 00:00

Ligji për energjinë elektrike ka rikthyer debatin në Parlament, mbi
masat e marra nga Qeveria për rehabilitimin e sistemit energjetik në
vend.

Kryeministri Rama përsëriti edhe një herë se, u trashëgua një sistem në kolaps të plotë, me qindra miliona dollarë borxhe.

Por,
për ish-kryeministrin Berisha, masa që parashikon ky ligj për vendosjen
e barrës hipotekore për debitorët e energjisë, në rastet kur kalon
debinë në vlerën mbi 300 mijë lekë për konsumatorët familjarë dhe mbi 2
milionë lekë për biznesin, do të thotë të sanksionosh me ligj
sekuestrimin e banesave të qytetarëve.

“KESH-in e lanë me 540
milionë dollarë borxhe, të krijuara drejtpërdrejt nga vendimmarrjet
krejtësisht të vërbëra të Qeverisë së kaluar. OST-në e lanë me 20
milionë dollarë borxhe, OSHEE-në e lanë në kolaps të plotë ekonomik dhe
teknologjik, me 1 miliard dollarë borxhe”, tha kryeministri Rama.

“Me
një logologji të pafundme mbulove aktin më të paprecedent. Mbulove
ligjin, me të cilin ti i lejon vetes, me një bandë punonjësish të
papërgjegjshëm në OSHEE, t’u rrëmbesh pronën themelore qytetarëve
shqiptarë, t’u rrëmbesh banesën”, deklaroi deputeti demokrat, Sali
Berisha.

Ish-kryeministri akuzoi Qeverinë, edhe lidhur me
rikthimin e faturimit aforfe, që sipas tij po gjobit familjet shqiptare
me fatura të papërballueshme për ta.

“Nivelin e arkëtimeve
vjetore e kemi rritur me 100 milionë dollarë deri në fillim të Prillit
2015. Kemi arritur të tejkalojmë 300 mijë aktmarrëveshje me debitorët,
që këta i lanë rrugëve, duke lënë rrugëve të gjithë sistemin, sepse
mendja e tyre ishte rrugë-rrugë-rrugë”, tha sërish kryeministri Rama.

“Mburresh
për arkëtime, por sigurisht, sepse po e gjobite tjetrin 600 mijë lekë
fatura aforfe në muaj, nga 200 mijë që paguanin normalisht, t’i merr sa
për 3 familje në një familje”, theksoi deputeti Berisha.

Ministri
i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se është kryer blerja e 50 mijë
matësave të energjisë dhe se deri në fund të vitit synohet, që asnjë
konsumator të mos mbetet pa matës.

“Janë investuar për blerjen e
50 mijë matësave, në mënyrë që të zgjidhej problemi themelor, që ishte
mungesa e matësave në shumë konsumatorë. Jemi drejt fundit të këtij
procesi, nëpërmjet Bankës Botërore, për pajisjen e të gjithë qytetarëve
dhe konsumatorëve me matësa”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë.

Top Channel