Berisha: Për herë të parë kërkohet azil politik. Rama: Vala, një keqkuptim

23/04/2015 00:00

Përse po largohen shqiptarët? Kjo ishte pyetja që mori më shumë orë debat gjatë kësaj të enjteje në Parlament. Përgjigja e demokratëve mbetet e pandryshuar: keqqeverisja dhe thellimi i varfërisë dhe po e tillë, e pandryshuar edhe përgjigja e kryeministrit.

“Ka një keqkuptim të madh, i krijuar në raport me një nevojë të shpallur të Gjermanisë për 45 mijë të huaj, por me profesione të caktuara dhe për arsye të caktuara të ekonomisë gjermane. Nga ana tjetër, mbi këtë keqkuptim ka hyrë në veprim elementi kriminal. Në vendet fqinje kemi të njëjtën situatë”, tha Rama.

Ish-kryeministri Berisha u përgjigj: “Me këtë fjalë që mbajte ti, fajin e paska Gjermania. Nuk ka faj sepse nuk ka vend që të fton për azil politik. Nuk zgjidhet me policë ky problem. Ti je shndërruar në një fatkeqësi kombëtare”.

“Fyerje për inteligjencën e shqiptarëve që t’u thuhet se ajo që po ndodh javët e fundit është e lidhur me ndonjë rënie të ekonomisë”, replikoi kryeministri Rama.

“Kjo qeveri po bën çdo gjë, vetëm nuk po qeveris. Nëpër spitale nuk ka ilaçe dhe mjekë”, theksoi Berisha.

“Fakti që ka njerëz që e kanë jashtëzakonisht të vështirë të nxjerrin bukën e gojës, sigurisht që është i pamohueshëm. Nuk e ka mohuar askush, por ky fakt nuk lidhet me këtë qeveri. Shqiptarët nuk janë dele që juve t’i bëni bariun”, deklaroi Rama.

Për demokratët, janë të varfërit që po ikin për shkak të reformave shtrënguese të qeverisë, si ajo energjitike, prishja e bizneseve familjare si ndërtime pa leje apo përgjysmimi, sipas tyre, i ndihmës ekonomike, si dhe lënia jashtë skemës së saj i 20 mijë familjeve.

“I lumturuat shqiptarët. Merrnin 45 dollarë ndihmë ekonomike, shumë pak ishte, por tani ka zbritur në 16 dollarë. E zbritët duke i çuar shumicën e tyre në ndihmë të pjesshme”, akuzoi Berisha.

Ndërsa ministri Erion Veliaj sqaroi se janë njësitë vendore të qeverisura nga demokratët që nuk po shpërndajnë ndihmën ekonomike.

“Që kur ka hyrë ky vit, nuk shpërndahet ndihma ekonomike dhe i thoni që po e bllokon qeveria, ndërkohë që paratë “flenë” në bankë dhe ju as nuk mblidheni t’i shpërndani. Kjo është strategjia e fitores”, tha Veliaj.

“Ku ka ndodhur dasmë me dy raunde në kështjellë? Rroftë mamaja! E ka thënë vetë që dasmën ia bëri mamaja”, tha Berisha.

Përgjigja e Veliajt ishte kjo: “Më vjen mirë që “doktori” iku sepse nuk kisha ndërmend të merresha me familjen e tij apo me dasmat e tij. E di që i ka problem dasmat. Nuk e di si martohen ata, por ne të tjerët nuk martohemi me kushërinjtë. Kjo është një gjë e mirë”.

Top Channel