Ministri Naço kërkon pezullimin e gjyqtarit Osman Aliu: Eshtë marrë i pandehur

23/04/2015 00:00

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, i ka kërkuar Presidentit Bujar Nishani
pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kavajës, Osman Aliu.

Në kërkesën e ministrit Naço, sipas burimeve të Ministrisë së Drejtësisë, kërkohet përfshija në rendin e ditës në mbledhjen e radhës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) të kërkesës për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Aliu.

Në kërkesë thuhet se, ndaj gjyqtarit Aliu, Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimin për akuzën e “refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Prokuroria ka vendosur ta marrë si të pandehur gjyqtarin dhe ka dërguar dosjen penale ndaj tij për gjykim.

Ndaj, në letrën drejtuar Presidentit Nishani, njëherazi edhe kryetar i KLD-së, ministri Naço ka kërkuar diskutimin në mbledhjen më të afërt të Këshillit të kërkesës për pezullimin e gjyqtarit Osman Aliu, në kushtet kur ai është marrë si i pandehur.

Top Channel