Vlorë, policia parandalon një vrasje të trefishtë; pranga autorit të dyshuar

23/04/2015 00:00

Policia e Vlorës tha se ka parandaluar një vrasje të trefishtë, sot në
rrugën Transballkanike, dhe ka arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar.

Prej disa kohësh, agjentët mbanin nën vëzhgim disa persona dhe kishin dijeni për konfliktin midis tyre. Shërbimet e policisë ndërhynë këtë të enjte, duke parandaluar një ngjarje kriminale që mund të kishte pasoja të rënda.

Autorit të dyshuar, Eduard Xh. Beli, 35 vjeç, banues në qytetin e Vlorës, iu sekuestrua arma që, sipas policisë, do të përdorte për të kryer krimin.

“Objekt i sulmit kriminal ishin shtetasit A.M., 40 vjeç, banues në Vlorë; B.XH., 34 vjeç, dhe A.M., 38 vjeç, të dy banues në Orikum”, bëri të ditur policia, e cila po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe shkaqeve të konfliktit mes të arrestuarit dhe tre personave të tjerë.

Më herët, paraditen e sotme, po në rrugën Transballkanike, u raportua një përplasje me armë, pas një sherri banal midis disa të rinjve, ku mbeti i plagosur një person.

 

Top Channel