Kur një krim quhet genocid? Shfarosja e armenëve, e përgatitur nga osmanët

23/04/2015 00:00

Ishte genocid apo jo? Afrimi i 100-vjetorit të masakrës së armenëve ka rindezur një debat të vjetër. Përcaktimi zyrtar i genocidit është “vrasja e organizuar e njerëzve, me synimin e qartë që t’i jepet fund ekzistencës së tyre kolektive”.

Për nga qëllimi, genocidi kërkon planifikim qëndror dhe një makineri, që ta implementojë. Kjo është ajo, që e bën krimin perfekt shtetëror, sepse vetëm një Qeveri disponon burimet e nevojshme për zbatimin e një skeme të tille shkatërrimi.

Në mbështetje të pohimeve, se vrasjet e armenëve në 1915-n përbëjnë genocid, vijnë shumë fakte, që dëshmojnë se fati i tyre ishte vulosur që në vitin 1914. Ushtria osmane, në fund të atij viti pësoi një humbje shkatërruese nga trupat ruse.

Nga 50.000 deri 80.000 turq humbën jetën në sulmin e dimrit, të përgatitur keq në Kaukazin Perëndimor, thotë “Deutsche Welle” dhe pikërisht beteja e Sarikamishit konsiderohet si shkëndija e asaj çfarë do të pasonte.

Turqit fajësuan armenët për disfatën, me pretendimin se kishin luftuar në anën e rusëve, ose kishin vepruar me aksione partizane kundër osmanëve. Sipas variantit turk, armenët ishin kolona e pestë e Rusisë, qëllimi i së cilës atëherë, kishte qenë të krijonte një Armeni si zonë të çmilitarizuar, për të dalë nga Kaukazi drejt e në Mesdhe.

Kjo mësohet edhe sot nëpër shkollat turke. Pala tjetër argumentonse, gjithçka u planifikua e u administrua prej Komitetit Bashkim dhe Përparim, një lëvizje e njohur si “turqit e rinj”. Në fund të Prillit 1915, në të gjithë Anadollin nisi aksoni i “dëbimeve”.

Një term i kërkuar nga zyrtarët dhe administratorët për të tingëlluar i parrezikshëm, por që në thelb nuk nënkuptonte gjë tjetër veç deportimit. Intelektualët armenë, përfaqësuesit politikë dhe fetarë u deportuan nga Kostandinopoja, në Anadoll, ku u vranë. Të tjerë u çuan në shkretëtirë.

Nuk ka një shifër të saktë të vdekjeve, por pretendimet nisin nga 300.000 e shkojnë deri në 1,5 milionë. Megjithatë, një gjë është e sigurt nga mbi 2 milionë armenë, që jetonin në Perandorinë Osmane përpara Luftës së Parë Botërore, në vitin 1922, nuk numëroheshin më shumë se 400.000.

Top Channel