Të premten, përvjetori i masakrës. Ankthi turk për armenët: Si do e komentojë Obama?

23/04/2015 00:00

E premtja shënon 100-vjetorin e masakrave ndaj armenëve, dhe sa më shumë afron ky përvjetor me 24 Prillin e këtij viti, aq më shumë shqetësohet Turqia, se Presidenti amerikan Barack Obama mund të ndjekë shembullin e Papa Françeskut dhe të Parlamentit Europian, duke përdorur për gjakderdhjen e përpara një shekulli fjalën “gjenocid”.

Ankthi i Ankarasë dëshmohet qartë në vendimin për të paraprirë një situatë tepër të sikletshme, me paralajmërimet se përmendja e termit “gjenocid” do të pasohet nga hapa politike e mbase edhe ushtarake.

Për këtë qëllim, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu udhëtoi drejt Uashingtonit me shpresën të bindë homologun John Kerry, se shefi i Shtëpisë së Bardhe duhet ta anashkalojë fjalën shumëpolemizuese në fjalimin e tij të përvitshëm, mbi këtë ngjarje të dhimbshme të Luftës së Parë Botërore.

Ajo çfarë alarmon më shumë turqit është fakti, që gjithmonë e më shumë po piqen kushtet, që vrasjet masive të armenëve të cilësohen “gjenocid” nga vendet aleate. Argumenti i Ankarasë është se, humbjet e jetëve erdhën gjatë një lufte civile, ku gjetën vdekjen edhe shumë turq.

Arsyeja e një kundërshtimi kaq të fuqishëm të Turqisë ndaj këtij termi, sipas ekspertëve, është se, një gjë e tillë mund t’u hapte rrugën rasteve të shumta gjyqësore dhe Armenia, me çdo të drejtë mund ta çojë çështjen në gjykatat ndërkombëtare.

Ka një numër të konsiderueshëm pretendimesh për kompensim, të cilat varen nga njohja ose jo e gjenocidit. Ndaj dhe Ankaraja po reagon.

Një zyrtar i lartë turk, duke folur në kushtet e anonimatit paralajmëroi se, ka hapa të lehtë dhe praktikë që mund të merren kundër Uashingtonit, nëse Presidenti Obama përdor termin “gjenocid”. Ai kujton se, forcat amerikane përdorin bazën ajrore turke të Inçirlikut pranë Sirisë dhe Irakut, pa përmendur pastaj që vendi mban edhe radarë të rëndësishëm amerikanë.

Top Channel