Akuza të rënda kryeprokurorit të Kosovës

23/04/2015 00:00

Kryeprokurori i ri i Kosovës, Aleksandër Lumezi, është përballur me debate të rënda në ditën e parë të punës. Prokurori i EULEX-it, Heikki Wendorf, i ka dërguar zyrtarisht Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, një letër ku ai e lidh Aleksandër Lumezin me krime të rënda në korrupsion dhe në planifikimin e një vrasjeje.

Mësohet se prokurori i EULEX-it, Wendorf, i ka dërguar letrën Presidentes Jahjaga një ditë para se ajo të dekretonte Aleksandër Lumezin si kryeprokuror të Kosovës. Letra e Wendorfit nuk jep detaje mbi dyshimet ndaj Lumezit, emërimi i të cilit vjen pas një beteje 8-mujore me Këshillin Prokurorial të Kosovës. Me të marrë letrën e prokurorit të EULEX-it, Presidentja Jahjaga ka kërkuar nga EULEX-i të sqarojë skandalin e hetimeve që janë duke u kryer në këtë mision e ku e kanë përfshirë edhe kryeprokurorin Lumezi.

Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se, me ta pranuar këtë letër, ka kërkuar sqarime nga shefi i misionit të EULEX-it dhe, pas sqarimeve prej tij, ka marrë vendim për dekretimin e kryeprokurorit kosovar, konform ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Ndërsa, misioni europian në Kosovë, EULEX, përmes një komunikate për media është distancuar nga letra e prokurorit Wendorf. Shefi i EULEX-it, Gabrielle Meucci, ka sqaruar se letra e dërguar tek Presidentja Jahjaga nga prokurori Wendorf nuk përfaqëson qëndrimin e EULEX-it.

Numri një i EULEX-it vlerëson se pohime të tilla do të duhej të paraqiteshin para organeve gjyqësore të Kosovës e jo te Presidentja. Ndaj letrës së prokurorit të EULEX-it ka reaguar ashpër edhe vetë kryeprokurori Aleksandër Lumezi, i cili i ka quajtur shpifje dhe fushatë të ulët kundër tij deklaratat e prokurorit europian.  

Lumezi ka kërkuar nga EULEX-i që t’u japë prioritet pretendimeve të prokurorit dhe sa më parë të zbardhin rastin ndaj tij. Ai ka thënë se askush nuk do të mund ta frikësojë dhe ta ndalë në punën e tij për të luftuar dukuritë negative në Kosovë. Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës e ka përshëndetur të enjten përmes një komunikate për media emërimin e Aleksandër Lumezit si kryeprokuror. Qeveria vlerëson se dekretimi është një hap përpara në konsolidimin dhe forcimin e sistemit të drejtësisë dhe njëkohësisht shërben për mbarëvajtjen dhe funksionalizimin e këtij institucioni, si dhe ngritjes së përgjegjësisë së vetë sistemit të drejtësisë.

Top Channel