Parlamenti gjerman diskuton për emigrantët

23/04/2015 00:00

Vala e pashembullt e emigrantëve në Mesdhe, që shpesh shoqërohet edhe me tragjedi të përmasave si ajo e para pak ditëve në Kanalin e Siçilisë, është diskutuar në parlamentin gjerman këtë të enjte.

Deputetët gjermanë ishin në një mendje kur folën për domosdoshmërinë e parandalimit në të ardhmen të tragjedive të tilla, por u ndanë për rrugën dhe masat që duhen ndjekur për ta bërë këtë.

Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere kërkoi që të përmirësohet sistemi i emergjencave në det. Ai përshëndeti propozimin e Bashkimit Europian për dyfishimin e financimit të programit për mbrojtjen detare, që nga 3 milionë euro shkon në 6 milionë të tilla në muaj.

Një tjetër masë e propozuar prej tij ishte edhe shkatërrimi i infrastrukturës së kontrabandistëve.

“Nga Libia, bandat e kontrabandistëve mund të dërgojnë lehtësisht refugjatët drejt vdekjes. Ata mund të vazhdojnë të shpenguar këtë aktivitet, ndaj ne duhet të diskutojmë si mund të shkatërrohen këto varka të vdekjes, si mund ta dëmtojmë infrastrukturën e tyre”, deklaroi ai.

Në radhët e konservatorëve qarkullon prej kohësh edhe një tjetër propozim, ai i krijimit të kampeve të pranimit dhe verifikimit në Afrikën Veriore, ku refugjatët mund të aplikojnë për azil në Europë.

“Ne duhet të krijojmë qendra të tilla pranimi jashtë Europës, në mënyrë që të bëjmë verifikimin e kërkesave”, rekomandoi ish-ministri i Brendshëm, Hans-Peter Friedrich.

Propozimi i këtij të fundit është kundërshtuar ashpër prej të majtëve që kërkojnë nga BE vendosjen e linjave të tragetit për të gjithë refugjatët, të cilët mund të aplikojnë më pas në Europë për azil.

Top Channel