Arsimi, bashkëpunim mes Kosovës dhe SHBA-ve

23/04/2015 00:00

Të enjten është mbajtur ceremonia e fillimit të bashkëpunimit mes Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe 4 universiteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si pjesë e programit të lidershipit transformues.

Qëllimi i këtij programi është shkollimi i studentëve kosovarë në universitetet amerikane dhe sjellja e profesorëve amerikanë në Universitetet publike në Kosovë.

Programe të tilla bashkëpunimi në arsimin e lartë u vlerësuan si të nevojshme nga rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, pasi sipas tij Universiteti publik aktualisht është në një gjendje jo të mirë, sa i përket cilësisë në aspektin akademik.

Të pranishëm në ceremoni ishin ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami. Ata vlerësuan lart këtë program, pasi siç u tha nuk ka investim më të rëndësishëm, se në edukimin dhe krijimin e udhëheqësve të rinj.

“Ky është një investim i rëndësishëm, në terma financiarë, si nga administrata amerikane, ashtu dhe nga Qeveria e Kosovës. Dhe nuk ka asnjë punë më të rëndësishme, se të investosh për të rinjtë e një vendi dhe të ardhmen e tij”, tha Tracy Ann Jacobson, ambasadore e SHBA në Kosovë.

Profesorë nga Arizona, Indiana, Dartmouth dhe Minnesota do të sjellin eksperienca nga universitetet e tyre, në fushën e ekonomisë, edukimit, bujqësisë dhe inxhinierisë.

Përmes këtij programi, vitin e kaluar kanë përfituar rreth 170 studentë kosovarë, të cilët vazhdojnë studimet master në universitetet amerikane. Programi është mundësuar nga Qeveria e SHBA-ve dhe Kosovës dhe zbatohet nga USAID dhe World Learning.

Top Channel