Prishtinë, ndërtuesit në protestë ndaj drejtorit të Urbanistikës, Aliu: Nuk e durojnë barazinë

23/04/2015 00:00

Një protestë e punonjësve të kompanive ndërtuese e ka zhytur në kaos për disa orë trafikun në Prishtinë.

Mjetet e rënda të këtyre kompanive hynë në qendër të qytetit, në një protestë ku kërkohej largimi i drejtorit Komunal të Urbanistikës, Liburn Aliu. Kjo pasi, ky i fundit me ardhjen në pushtet ka ndaluar të gjitha ndërtimet, që nuk ishin të pajisura me leje.

“Pa ndërtim s’ka zhvillim”, “Liburn ik” ishin parullat e ndërtuesve, të cilët marshuan në sheshet kryesore të kryeqytetit, duke vazhduar drejt godinës së Komunës së Prishtinës.

Drejtori i Urbanistikës në Prishtinë, Liburn Aliu tha për Top Channel se, gjatë kohës kur po ndodhte protesta, kjo Drejtori kishte takime të vazhdueshme pune, ku ishte i pranishëm edhe një përfaqësues i ndërtuesve.

“Ne kemi punuar gjithë kohën me përfaqësuesin, që ata vetë kanë dërguar, për të cilin jemi dakordësuar para pak javësh, që ai të vijë dhe të fillojë punën në Drejtori, në mënyrë që të jetë në qasje të secilit proces, të secilës leje, të ketë qasje në secilin dokumentacion”, tha Liburn Aliu, drejtor i Urbanistikës, Prishtinë.

Marrë parasysh gatishmërinë e bashkëpunimit, sipas Aliut, duket se kjo protestë ka një motiv tjetër.

“Unë konsideroj që është me motive politike dhe, përpos motivit politik duhet ta përmend edhe një gjë. Kemi të bëjmë me ndërtues, të cilët në të kaluarën kanë qenë të privilegjuar dhe të cilët nuk e përballojnë dot të jenë të barabartë me të tjerët”, tha më tej Liburn Aliu.

Aliu tha se, që nga marrja e kësaj detyre, kjo Drejtori ka realizuar mbi 2000 takime me qytetarët, ndërsa bëri të ditur se kërkesa e tyre për qasje në dokumente zyrtare është rritur me 15 herë.

Drejtori për Urbanistikën, Liburn Aliu tha se asnjë biznesmen nuk ka nevojë të kërkojë rrugë dytësore për të arritur tek ai, duke theksuar se nuk do të lejohen ndërtime pa leje.

“Sot, Prishtina vuan nga ndërtimet që janë bërë në të kaluarën. Janë ndërtime, ku nuk janë respektuar kriteret e planit. Nuk ka më ndërtime pa leje. Ashtu thotë ligji dhe nuk do të ketë ndërtime pa leje”, tha Aliu, drejtor i Urbanistikës në Prishtinë.

Që nga ardhja e Vetëvendosjes në pushtet, në Prishtinë, qeverisja e kryetarit Shpend Ahmeti është vlerësuar për ndërprerjen e kaosit urban.

 

Top Channel