Decentralizimi, përfaqësuesit rajonalë diskutojnë në Kosovë

23/04/2015 00:00

Decentralizimi i pushtetit lokal vlerësohet si një hap i rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Europian, përveç përparësive të tjera, që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik, transparencën në qeverisje dhe ofrimin e shërbimeve më afër qytetarëve.

Kështu u tha në një tryezë të organizuar nga Instituti për Pushtetin Lokal, në të cilën morën pjesë përfaqësues nga të vendet e rajonit; Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia. Besnik Tahiri, nga Instituti tha se, Kosova e ka arritur qëllimin e saj me decentralizmin për integrimin e serbëve.

“Dora e parë e shtetit është komuna, shërbimi i parë publik është në komunë. Është tepër me rëndësi, që në komunë të ketë një kapacitet, që do të mund të ofronte shërbime në emër të shtetit. Në këtë kuptim, shtetet e rajonit po mundohen që, edhe detyrat që burojnë nga Bashkimi Europian, nga kriteret e Kopenhagenit, të reflektohen në administratën publike në komunë”, tha Besnik Tahiri, Instituti kosovar për Qeverisjen Lokale.

Gjatë debatit, panelistët shpalosën fakte se, megjithë rëndësinë e decentralizimit, vendet e rajonit nuk kanë ecur me ritmin e njëjtë. Kështu, Kosova dhe Maqedonia kanë qenë të nxitura politikisht në dhënien e kompetencave komunave, për t’i integruar serbët dhe shqiptarët. Shqipëria, sipas deputetit të Parlamentit shqiptar Bashkim Fino, deri vitin e kaluar, megjithë konsensusin politik nuk ka mundur ta përfundojë reformën Administrativo-Territoriale. Ndërsa Serbia ka ngecur, edhe për shkak të problemeve me Kosovën.

“Sot, nga 385 njësi vendore, në Shqipëri do të ketë vetëm 61 bashki. Nuk do të ketë më komuna, por do të ketë vetëm 61 bashki. Nëse në 12 qarqe, me ndarjen e vjetër kishim 773 këshilltarë, sot do të kemi vetëm 277 këshilltarë. Pra, kjo do të thotë që i jemi përafruar pak a shumë Europës”, tha Bashkim Fino, deputet i Parlamentit të Shqipërisë.

Analisti Dushan Janjiç nënvizoi faktin se, Serbia ende e mban Kosovën si pjesë të territorit të vet në Kushtetutë, çka sipas tij nuk e reflekton realitetin.

“Ata që kanë ardhur në pushtet pas rënies së Millosheviçit kanë pasur përkrahje shumë të madhe nga Perëndimi dhe i janë përbetuar SHBA-ve dhe BE-së, që Serbia do të jetë shtet bashkëpunues në rajon. Te ne, përvoja ka treguar se është më mirë që bashkësia ndërkombëtare të të detyrojë të bësh ndonjë kompromis, sepse pastaj do të mund t’i fajësosh më lehtë shqiptarët ose ndërkombëtarët. Në të kundërt është shumë e rrezikshme t’i kundërvihesh popullit, i cili nga ana tjetër pret me padurim, që të ndodhë decentralizimi”, tha Dushan Janjiç, themelues i Forumit për Marrëdhënie Etnike, në Beograd, Serbi.

Në kuadër të diskutimit, panelistët ftuan qeveritë, që të tregojnë më tepër vullnet politik për t’i shpërndarë kompetencat edhe në çështje më të vogla, siç është emërimi i punonjësve arsimorë apo shëndetësorë nga komunat, e jo nga Ministritë.

Top Channel