Dita ndërkombëtare e Librit shënohet edhe në Prishtinë

23/04/2015 00:00

Në Prishtinë është shënuar Dita ndërkombëtare e Librit, përmes disa aktiviteteve me qëllim ngritjen e vetëdijës për lexim.

Qendra për zhvillimin e arteve “ArtPolis”, me mbështetje të zyrës së BE-së në Kosovë, përmes projektit “Culture for All”, për të katërtin vit me radhë kanë organizuar një Panair të Librit me libraritë e kryeqytetit.

Zana Hoxha Krasniqi, udhëheqëse e “ArtPolis” tha se, ndër aktivitetet e tjera është edhe gara në poezi e shfaqje. Aktivitete të ndryshme janë organizuar edhe në disa çerdhe të Prishtinës.

Aktivitetet për Ditën ndërkombëtare të Librit do të mbyllen me natën e pozisë, ku do të lexohen kryesisht poezi dashurie të shkrimtarëve kosovarë, të premten në Teatrin “Dodona”, në Prishtinë.

Në Ditën ndërkombëtare të Librit, regjistrimi për një vit në bibliotekat e qytetit është bërë pa pagesë. Ndërsa shtëpitë botuese që ishin pjesëmarrëse në Panair kanë bërë ulje në çmimet e librave.

Top Channel