Parafabrikatet, shtëpizat “kuti” që vinin nga Kina…

23/04/2015 00:00

Në mesin e viteve ’70, për herë të parë në Shqipëri nisi punimet e ashtuquajtura “fabrika e 2000 apartamenteve”. Teknologjia e ardhur nga Kina ndërtonte banesa me elemetë të parafabrikuara, ose siç njihen ndryshe, parafabrikatë.

Struktura ulte ndjeshëm koston e ndërtesës, rriste rendimentin dhe shkurtonte afatin e ndërtimit, nga 9 në 3 muaj. Një grupi prej 5 vetash mjaftonte për të ngritur pallatin, ndryshe nga ndërtimet me tulla, ku duhet një brigadë e tërë.

Falë hekurudhës, ndërtimet parabarikate u shtrinë pothuajse në të gjithë Shqipërisë, si në Elbasan, Pogradec, Berat, Korçë, Tepelenë, Gjirokastër, apo dhe në Laç, Lezhë e Shkodër. Më pas, disa makina të posaçme trasportonin pllakat e betonit deri në kantiere, për të ngritur ndërtesën.

Teknikat lejonin që montimi të bëhej edhe në dimër. Një banesë me 5 kate, po të ndërtohej me panele të mëdha kërkonte 40% më pak shpenzime dhe 35% më pak orë pune në sheshin e ndërtimit.

Kostoja e ulët ishte një tjetër element i rëndësishëm. Në bazë të përllogaritjes, vlera për metër katror ishte 54 dollarë në vitit 1980, ndërsa sot në 2015-n shkon në 155 dollarë. Me një llogari të thjeshtë, banesa e viteve ’80 kapte një çmim prej 25 mijë lekësh, ndërsa sot, nëse do të ndërtohej, i kalon 1 milion e 290 mijë lekët.

Për të ekonomizuar sipërfaqet e ngushta rekomandoheshin një tip i caktuar mobiljesh, të cilat ishin më të përshtatshme. Fakt është se, përveç historisë gjatë së cilës u rritën qindra fëmijë, edhe sot e kësaj dite në Tiranë, rreth 6% e popullsisë jeton në këto banesa.

Top Channel