Familja Shalcanji: Si jetojmë te parafabrikatet, që nga viti 1989

23/04/2015 00:00

Që prej vitit 1989, familja Shalcanji jeton në një pallat parafabrikat, pranë ish-Parkut të Autobusëve. Tre anëtarët e familjes e mbajnë mend si sot, ditën kur u futën në hyrje, që në atë kohë ishte krejt e zbrazur.

“Të them të drejtën nuk doja të hyja në këto shtëpi, sepse e dija që ishin të ftohta. Pretendoja për lagje ku mund të merrnim shtëpi me tulla, sepse ashtu isha fiksuar. Megjithatë, u futëm, e pamë dhe na u duk shumë e mirë. Edhe pse e ftohtë, dru zjarri ka sa të duash, ndaj nuk kishte problem të madh”, tha Shkëlqim Shalcanji.

Dorandi, djali vetëm i çiftit ishte 6 vjeç, kur u fut në banesë.

“Ajo që mbaj mend unë është larja e pllakave së bashku me mamin dhe motrat. Të gjitha pikat e lëshuara prej betonit kishin rënë mbi pllaka dhe duheshin larë. Kam 26 vite të kaluara këtu në këtë apartament”, thotë Dorand Shalcanji.

Nga ajo kohë, lagjja ka ndryshuar. Shumë ndërtesa të tjera janë shtuar, si kërpudha pas shiut, por sërish pallati parafabrikat bie në sy. E veçanta e ndërtesës, sipas kryefamiljarit është jo vetëm në mënyrën e ndërtimit, por dhe në elementë teknikë.

“Të duash të fusësh një gozhdë nuk është e mundur, duhet gjetur trapan dhe të fusësh vida. Për çdo ndryshim që mund të bësh, do të të hapen punë duke hapur vrima në mur me trapan. E veçanta është se nuk gjen vdekje nga tërmetet, janë me garanci edhe për tronditje deri në 8 ballë. Te pallatet e reja ke frikë të jetosh. Në dimër nuk është se janë edhe aq shumë të ftohta, sepse kemi pajisje ngrohjeje, por në verë janë shumë të freskëta”, tha Shkëlqim Shalcanji.

Në këto mure ka shumë histori. Familja ka kaluar 26 vite këtu dhe, padyshim që e ka të vështirë të pranojë oferta për ta shitur, të cilat nuk kanë munguar.

“Më erdhi një ofertë për ta shitur shtëpinë dhe isha në dilemë. Por nuk e shita, sepse mendova se nuk kisha ku të shkoja. 26 vjet të kaluara këtu është vështirë t’i heqësh nga kujtesa. Pavarësisht të mirave dhe të këqijave të kësaj shtëpie”, tha Dorand Shalcanji.

Nostalgji? Sigurisht, shtëpia do të vazhdojë të jetë dëshmi e një kohe, kur ideologjia materializohej në ndërtime…

Top Channel