Kanë kaluar plot 5 vite prej 23 Prillit të vitit 2010, kur ish-kryeministri grek, Jorgos Papandreu deklaronte publikisht nga brigjet e ishullit Kastelorizo, se Greqia do të kërkonte zyrtarisht ndihmë ndërkombëtare financiare nga BE dhe FMN, në mënyrë që të përforconte ekonominë e rrënuar të vendit.

Por, me gjithë një paketë ndihme të dyfishtë prej 244 miliardë eurosh, disa periudhave zgjedhore dhe ndërrimit të 4 kryeministrave, Greqia ndodhet sot në të njëjtën pikë, madje me një borxh edhe më të madh dhe gati për të falimentuar.

“Jeta jonë është shumë më keq dhe, siç e shihni, jam e moshuar. Burri im është pensionist dhe nuk jetojmë mirë. Ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë, por ata që janë në pushtet duhet të gjejnë një zgjidhje për popullin grek”, tha Dafni Georgiopoulou, banore e Athinës.

Qeveritë greke në këto 5 vite nuk arritën të bënin ndonjë reformë strukturore të plotë, përveç se të reduktonin pagat dhe pensionet. Nga masat e kursimit, varfëria u rrit me 20%, papunësia shkoi në 27%, mbi 105 miliardë euro depozita ikën nga bankat greke, mijëra dyqane dhe biznese u mbyllën, dhe me 35% u rritën vetëvrasjet si pasojë e krizës.

Edhe Qeveria e re e radikalëve të majtë, pas ardhjes në fuqi më 25 Janar të këtij viti, nuk ka mundur deri tani të hartojë një listë me reforma, në mënyrë që kreditorët e Greqisë të japin dritën jeshile për vazhdimin e financimit të ekonomisë greke.

“Është padyshim shumë e vështirë për popullin grek. Përgjegjësia është e të gjithëve. Edhe e atyre që udhëhoqën, por edhe e atyre që i zgjodhën. Gjithashtu edhe e europianëve”, tha Sotiris Pretnzas, banor i Athinës.

Në një takim prej gati 50 minutash, që pati pasditen e së enjtes në Riga të Letonisë, përgjatë samitit të udhëheqësve të BE-së, kryeministri grek Tsipras i ka kërkuar Kancelares Merkel të arrihet marrëveshja sa më shpejt mdis Greqisë dhe kreditorëve.

Sipas medieve të huaja, vlerësohet se kjo ndoshta do të bëhet e mundur deri në fund të këtij muaji, duke shmangur të ashtuquajturin “Grexit”, “Grexident”, apo siç e quajnë prej disa ditësh mundësinë e daljes së Greqisë nga Eurozona, “Grimbo”; bashkimi i fjalëve Greece dhe Limbo, që do të thotë “Greqia në buzë të greminës”.

Sipas agjencisë “Bloomberg”, Athina duket se ka rënë dakord në shumicën e pikave kryesore, që i kërkojnë huadhënësit, siç janë privatizimet, reformat për konkurrencën, lufta me evazionin fiskal dhe korrupsionin, reformat strukturore në aparatin shtetëror, ndërsa pika që i ndan dy palët është ajo që ka të bëjë me marrëdhëniet e punësimit.

Top Channel