Maqedoni, përgjimet për “Sopotin”. Jankullovska: Nuk ka prova për dënimin e shqiptarëve

23/04/2015 00:00

Një bisedë e përgjuar telefonike, që sipas përfaqësuesve të LSDM-së opozitare zhvillohet mes ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska dhe shefit të shërbimit sekret, Sasho Mijallkov, nxjerr në dritë të dhëna të reja për rastin e njohur gjyqësor “Sopoti”.

Në materialin audio të prezantuar këtë të enjte, zëri, të cilin opozita pretendon se është i ministres së Brendshme, dëgjohet duke thënë se nuk ekzistojnë prova për vendimin e gjykatës, me të cilin u dënuan 11 shqiptarë në këtë çështje gjyqësore.

Sasho Mijallkov: Tanët e kanë dëshmuar duke i rrahur…
Gordana Jankullovska: Po, po. Realisht nuk kishte diçka… Ti e ke të qartë, nëse nuk merremi vesh të japim diçka. Unë nuk jap asgjë, kushdo që të jetë, por realisht më kujtohet se, edhe në librin e shënimeve kishte diçka që mungonte, nuk ishte shënuar, pra është dëshmuar ashtu siç thua, duke i rrahur.

Me tej në këtë bisedë, që sipas opozitës është autentike, bashkëbiseduesit konfirmojnë se, vendimi gjyqësor në rastin “Sopoti” ka qenë temë e bisedave me partinë shqiptare BDI, për formimin e koalicionit qeveritar në vitin 2011.

Në materialin e prezantuar nga opozita, bashkëbiseduesit dëgjohen duke u konsultuar për mënyrën sesi mund t’u falej shqiptarëve pjesa e mbetur e dënimit, pa u shpallur të pafajshëm, pasi në atë mënyrë do të diskreditohej sistemi gjyqësor.

Zëri, për të cilin opozita thotë se është i ministres së Brendshme, dëgjohet duke thënë se, partia e Ali Ahmetit nuk është e brengosur për fatin e shqiptarëve, që kanë mbushur burgjet e Maqedonisë, por kërkon lirimin e të dënuarve në rastin “Sopoti” vetëm për të përfituar politikisht.

Gordana Jankullovska: Ata nuk brengosen për ndonjë shqiptar. Burgjet janë të mbushura me shqiptarë. Ata dëshirojnë të përfitojnë politikisht. E kanë me rendësi 13 Gushtin, për shkak të Marrëveshjes së Ohrit. Gjithmonë në këtë periudhë na shkaktojnë probleme të tilla.

Në procesin e njohur gjyqësor “Sopoti”, 11 shqiptarë u dënuan me 156 vite burg. Ata u shpallën fajtorë për vendosjen e një mine në vitin 2003, në fshatin Sopot të Kumanovës, ku mbetën të vrarë dy ushtarë polakë të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil. 6 prej personave të dënuar kanë vuajtur mbi 7 vite në burg, ndërsa 5 prej të akuzuarve u dënuan në mungesë.

Top Channel