Mijëra nxënës të shkollave të mesme kanë marshuar rrugëve të Shkupit, për të kundërshtuar reformat e reja në arsim. Ata e kanë shprehur revoltën e tyre fillimisht para selisë së Qeverisë dhe më pas kanë ndaluar para godinës së Ministrisë së Arsimit.

“Kërkesat tona janë dy: të kthehet koncepti i vjetër për maturën shtetërore dhe të ndërpritet testimi ekstern, që ndikon në suksesin e përgjithshëm të nxënësve dhe po shërben për t’i gjobitur profesorët”, tha Aleksandra Filipova, nxënëse.

Organizatorët e protestave bënë të ditur se, për shkak të pakënaqësisë nga reformat e Ministrisë së Arsimit, rreth 20 mijë nxënës të shkollave të mesme janë duke bojkotuar procesin mësimor në të gjithë Maqedoninë.

Nxënësit paralajmërojnë radikalizmin e protestave, nëse autoritetet nuk marrin parasysh kërkesat e tyre.

“Ne duam ta informojmë ministrin se, nëse na injoron do të dalim çdo ditë të protestojmë, deri sa të na plotësohen kërkesat”, tha Fuad Ibrahimi, nxënës.

Ky është marshimi i tretë protestues kundër reformave, ndërsa ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi, ende nuk është takuar me të rinjtë për të dëgjuar vërejtjet e tyre. Protesta e nxënësve është mbështetur edhe nga disa profesorë dhe një numër i madh studentësh.

Top Channel