Vrasja e pengjeve nga sulmet amerikane, Obama kërkon falje

24/04/2015 00:00

Me një pamje të pikëlluar, Presidenti amerikan Barak Obama mbajti një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, për vrasjet aksidentale të pengjeve perëndimorë, të cilat erdhën si pasojë e bombardimeve të  koalicionit të drejtuar nga Uashingtoni.

“Së pari dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjet e dy viktimave. Njërit amerikan, doktor Warren Weinstein, si edhe italianit Giovanni Lo Porto, të cilët u vranë tragjikisht nga operacioni ynë kundër terrorizmit. Si President dhe si Komandant i Përgjithshëm, unë marr përgjegjësinë e plotë për të gjitha operacionet tona kundër terrorizmit, duke përfshirë dhe këtë që pa dashje i mori jetën e Warren-it dhe Giovanni-t. Unë thellësisht ndjej keqardhje për atë çfarë ka ndodhur. Në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, unë kërkoj faljet tona më të thella për familjet”, tha Obama.

Dy pengjet, përkatësisht një amerikan dhe një Italian, te cilët ishin në duart e Al Kaeda-s, ranë pre e bombardimeve që nuk kishin në shënjestër ata, por disa liderë të grupit terrorist në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit. Por se si ndodhi, Obama shpjegon:
 
“Vlerësimi ynë fillestar tregon se ky operacion ishte plotësisht në përputhje me udhëzimet, sipas të cilave ne kryejmë përpjekjet anti-terroriste në rajon. Pas qindra orësh vëzhgimi, në një kompleks të Al Kaeda-s, ne menduam se nuk kishte civilë të pranishëm, por ne nuk e dinim se tragjikisht, Al Kaeda ishte fshehur pas Warren-it dhe Giovanni-t. Kjo është një e vërtetë mizore.  Por një nga gjërat që veçon Amerikën nga shumë kombe të tjera, është gatishmëria jonë për t’u përballur me imperfeksionin dhe fakti se mësojmë nga gabimet tona”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Weinstein ishte rrëmbyer në Lahore që në vitin 2011, teksa punonte për një firmë konsulente amerikane. Ndërsa italiani, Lo Porto, vullnetar në Pakistan, ishte shpallur i zhdukur që në vitin 2012. Më herët në një deklaratë me shkrim, Shtëpia e Bardhë shprehu keqardhjen e thellë për vrasjet e dy perëndimorëve. Megjithatë SHBA siguroi se do të bëhet e pamundura që ngjarja e fundit tragjike të mos përsëritet më.

Top Channel