100-vjetori i gjenocidit kundër armenëve

24/04/2015 00:00

Viti 1915 rezultoi të ishte fatal për mijëra armenë, fati i të cilëve ishte në duart e turqve otomanë.

24 prilli që shënon 100-vjetorin e masakrave ndaj armenëve, u cilësua nga Presidenti i vendit Serzh Sargsyan si një nga datat më të rëndësishme të historisë. I pyetur se cili është mesazhi i tij për atë që duket se ka mbetur plagë e historisë Sargsijan u shpreh:

“Krimet kundër njerëzimit nuk mund të harrohen me kalimin e kohës. Mesazhi im i parë është ai i përkujtimit; i dyti është ai i mirënjohjes; i treti, që vjen si rrjedhojë i dy të parëve, është kujtimi dhe mirënjohja që të çon drejt parandalimit të përsëritjes së krimeve të tilla çnjerëzore. E ndërsa unë do të konsideroja si më të rëndësishmen atë që kombi ynë nuk u shua. Ata që u munduan të na fshinin nga faqja e dheut, nuk patën sukses”.

Shumë prej viktimave ishin civilë dhe u dëbuan në rajonet shkretëtirë, ku vdiqën nga uria dhe etja, e ndërsa mijëra vdiqën nga masakra. Armenia pretendon se 1.5 milion njerëz u vranë, por Turqia e mohon, duke thënë se shumë nga ata ishin viktima te Luftës së Parë Botërore dhe se shumë turq humbën jetën gjithashtu. Por shumica e dijetarëve jo-turq e konsiderojnë ngjarjen si gjenocid. Kjo është arsyeja që edhe pse 100 vite më vonë mes vendeve ekziston një hendek i madh. Turqia kërkon të ngrejë një grup historianësh për të qartësuar këtë pjesë të historisë.

“Nuk e kuptoj se si një komision i tillë mund të funksionojë, që në momentin që ata do jenë nën presionin e shoqërisë dhe autoriteteve turke. Në fund të fundit çfarë do të zbulojnë këta historianë? Sa vetë vdiqën në gjenocid?”, shtoi Sargsyan.

Por sipas presidentit armen, ekziston një rrugë tjetër që mund t’i çojë vendet drejt një kompromisi afatgjatë.

“Pa dyshim, njohja e gjenocidit nga turqit është rruga më e shkurtër për pajtimin e kombeve tona. Kjo është bindja ime më e fortë: në qoftë se arrihet, unë sinqerisht besoj se në një periudhë të shkurtër kohore marrëdhëniet midis Armenisë dhe Turqisë do të ngrihen në një nivel mjaft të lartë. Madje, disa muaj më parë, i kam dërguar një letër Erdoganit dhe me anë të saj unë e kam ftuar që të marrë pjesë në ngjarjet e 24 prillit dhe të përkujtojmë bashkë të gjitha viktimat”, shprehet presidenti i Armenisë, Serzh Sargsyan.

Sipas analistëve, gjithmonë në një debat ekzistojnë tre argumentë, pretendimet e njërës palë, versioni i palës tjetër dhe e vërteta.

Top Channel