Armeni, përkujtohen viktimat e genocidit turk

24/04/2015 00:00

Ceremoni të ndryshme kremtuese kanë nisur në Armeni me rastin e 100-vjetorit të masakrave të vitit 1915. Vrasjet masive të xhonturqve, për Armeninë nuk mund të përkufizohen veçse si genocid, por, Turqia këtë fjalë nuk e pranon.

Ngërçi i ka tensionuar prej kohësh marrëdhëniet mes dy vendeve. Ankaraja mohon edhe shifrën e 1.5 milionë të vdekurve, për të cilën armenët shprehin bindje të plotë. Në nder të viktimave, në memorialin kushtuar atyre në periferi të kryeqytetit armen Erevan, u vendosën kurora me lule e u mbajt një minutë heshtje.

Edhe pse i pranon barbarizmat, Turqia vazhdon të këmbëngulë se ato kanë qenë pjesë e pashmangshme e Luftës Civile dhe se nuk ka pasur një përpjekje sistematike për shkatërrimin e popullit të krishterë armen. Në mbështetje të këtij argumenti, kujton sesi në ato kohë të trazuara konflikti, kanë gjetur vdekjen edhe shumë turq myslimanë të pafajshëm. Në mesin e të pranishmëve, në ceremonitë e mbajtura në Erevan, është edhe presidenti rus Vladimir Putin.

Sa për deklaratën e Barak Obamës, të cilën Ankaraja e priste me shumë ankth, ajo ishte tepër diplomatike. Shefi i Shtëpisë së Bardhë iu referua vrasjeve si një prej mizorive më të mëdha të shekullit XX, duke shmangur me shumë mjeshtëri termin genocid.

Turqia përkujton sot edhe 100-vjetorin e njërës prej betejave më të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore, asaj të Galipolit, ku otomanët mposhtën një forcë pushtuese të udhëhequr nga britanikët. 141 000 vetë vdiqën në fushatën disa mujore, përfshirë 55 000 pjesëtare të forcave aleate dhe 86 000 turq. Për dy nga vendet pjesëmarrëse në atë betejë, Australinë dhe Zelandën e Re, Galipoli përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme në histori: për të parën herë, trupat e këtyre vendeve luftuan në një fushatë të tillë madhore si ushtarë të dy kombeve të pavarura.

Por, nga ajo luftë, ishte edhe një tjetër vend që pa t’i shpërfaqej ndërgjegja kombëtare: Turqia vetë. Galipoli nxori në pah një komandant të shkëlqyer, Mustafa Qemal Ataturkun, njeriun që më vonë do të shndërrohej në babain e Turqisë moderne, të lindur nga hiri i Perandorisë Osmane.

Top Channel