Në pranga anëtari i “Hakmarrjes për Drejtësi”, RENEA gjen Gentian Çakën

24/04/2015 00:00

Gentian Çaka, një prej eksponentëve të bandës së ashtuquajtur “Hakmarrja për Drejtësi”, është arrestuar në orët e para të së premtes në qytetin e Pogradecit. Sipas Policisë së Shtetit, kanë qenë forcat RENEA, të cilat, pas informacioneve të marra lidhur me vendndodhjen e tij, kanë bërë të mundur arrestimin pas më shumë se 10 vitesh arrati.

Çaka njihet si një prej anëtarëve të bandës “Hakmarrja për Drejtësi”, e drejtuar sipas drejtësisë shqiptare nga vëllezërit Orik dhe Leart Shyti dhe Altin Arapi, përgjegjëse për një sërë ngjarjesh të ndodhura në fillim të viteve ‘90 në Shqipëri. Gentian Çaka është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale, duke nisur nga falsifikimi i dokumenteve, vjedhje me armë, vjedhje bankash, rrëmbim personi dhe veprime me qëllime terroriste.

Por, kalvari i proceseve gjyqësore për 10 të pandehurit e kësaj dosjeje ende nuk ka përfunduar. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, çështja u ankimua në Gjykatën e Lartë, por Kolegji Penal vendosi mospranimin e rekursit nga të pandehurit.

Në vitin 2011, historia e kësaj çështjeje ndryshoi, pasi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe ridërgimin e saj për gjykim. Aktualisht, dosja e ndodhur në Gjykatën e Lartë pret të nisë shqyrtimin, edhe pse asnjë prej personave të akuzuar si drejtues të “Hakmarrjes për Drejtësi” nuk është i arrestuar. Vëllezërit Shyti dhe Altin Arapi kanë arritur të fitojnë azil politik në Zvicër dhe Belgjikë.

Top Channel