Kukës, debat mes të rinjve për azilin

24/04/2015 00:00

Emigrimi masiv i të rinjve kuksianë drejt Gjermanisë ka shtyrë shoqërinë që të nisë një cikël debatesh me nxënësit e shkollave të mesme të rrethit të Kukësit.

Një debat i tillë me temë “Eksodi i të rinjve dhe familjeve kuksiane” është zhvilluar mes nxënësve të gjimnazit të qytetit dhe fshatit Bicaj.

Të ndarë në dy grupe, pro dhe kundër, ata kanë argumentuar shkaqet e largimit të të rinjve, por edhe arsyet përse ata nuk duhet të largohen nga vendi.

“Jemi për emigrimin pasi Kukësi është dobët ekonomikisht. Të rinjtë enden rrugëve pa punë dhe zgjidhja është largimi nga ky vend ku nuk ka shpresë”, thotë një gjimnaziste.

Një tjetër gjimnaziste nuk e sheh zgjidhje emigrimin: “Po shohim që njerëzit e varfër që kërkojnë azil po kthehen më të varfër nga sa ishin”.

Muajt e fundit, dhjetëra familje nga Kukësi, por edhe nga fshatrat, udhëtojnë kryesisht drejt Gjermanisë, por edhe vendeve të tjera të BE-së, për të kërkuar azil.

Ndërkohë që ky fenomen ka përfshirë edhe shumë të rinj të cilët nga mungesa e vendeve të punës dhe e perspektivës, po largohen dret Gjermanisë.

Top Channel