Veliaj: Skema e ndihmës ishte e fryrë. Gjetëm më shumë militantë se të varfër

24/04/2015 00:00

Kreu i Ministrisë së Mirëqënies Sociale Erion Veliaj, gjatë prezantimit të strategjisë për reformën sociale dhe ndihmën ekonomike, u ka dhënë përgjigje edhe akuzave të opozitës.

Veliaj ka sqaruar se para dy vitesh skema e ndihmës ekonomike ishte e fryrë me militantë partiakë dhe borxhet e mbartura ndaj kësaj shtrese ishin të mëdha.

“Çdo betejë elektorale në skemën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar trajtohej si gjendje lufte, ku njerëzit futeshin me ndihmë ekonomike vetëm për të dhënë votën dhe për të tundur një flamur. Militantët e partive, këta me dyqan mermeri, dyqan mishi, tri makina, vilë dykatëshe… u thamë udha e mbarë se ju nuk jeni për këtë punë dhe paratë që kursyem nga këta njerëz, ua shtuam atyre që realisht janë nevojtarë”, tha Veliaj.

Skema e re dixhitale mundëson identifikimin dhe verifikimin e çdo individi që aplikon për ndihmë ekonomike dhe shmang mundësitë për përfitime të paligjshme.

Sipas skemës së re, ndihmën ekonomike e marrin 70 për qind të grave. Por pjesë e skemës janë edhe fëmijë që jetojnë në qendra rezidenciale.

Gjatë vitit të shkuar, 107 fëmijë janë rikthyer në familjet e tyre biologjike, falë ndihmës që i është dhënë familjes.

“Ambicia jonë është që shumë prej qendrave rezidenciale të mbyllen dhe sa më shumë kujdesje të transferohen pranë familjeve. Nëse ne llogarisim koston e të mbajturit hapur të një institucioni, besoj që jemi dakord që me ato 300 ose 400 mijë lekë, më mirë t’i bashkangjiten familjes që do të kujdeset për ata fëmijë, se sa të vazhdojmë të mbajmë institucione të tjera në këmbë”, shtoi Veliaj.

Veliaj, i cili pas të mërkurës nis zyrtarisht fushatën për kryetar bashkie, ka përmendur edhe detyrat që duhet të kenë këta kandidatë që lidhen ngushtësisht me nevojat e njerëzve.

Top Channel