Tahiri dhe Hoffman në Morinë: Të përshpejtohen procedurat e azilit

24/04/2015 00:00

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Tiranë Helumut Hoffman, ishin mesditën e së premtes në pikën e kalimit kufitar të Morinës, në Kukës, vend nga ku së fundimi janë larguar shumë shtetas shqiptarë në kërkim të azilit në Gjermani.

Gjatë fjalës së tij, ministri Tahiri i bëri edhe njëherë thirrje të gjithë shqiptarëve që të mos largohen për të kërkuar azil në vendet e BE-së, pasi është e pamundur një gjë e tillë.

“Po punojmë me të gjitha agjencitë shtetërore dhe qeveria në tërësi është angazhuar për të shkuar pas të gjithë atyre që abuzojnë me qytetarët shqiptarë, duke u premtuar padrejtësisht dhe në mënyrë kriminale udhëtim me qëllim azil-kërkimi në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo vlen për agjencitë e udhëtimit, të cilat në rast se evidentohet një fenomen i tillë do të humbasin edhe liçencën dhe do t’i nënshtrohen procedimeve penale. Unë e kam biseduar me kolegët ministra të Bashkimit Evropian dhe të hënën kam edhe një vizitë në Gjermani për të takuar kolegun atje dhe për t’i kërkuar rishikimin e procedurave të rishqyrtimit të kërkesave për azil, në mënyrë që ato të jenë sa më të shkurtra dhe të mos shërbejnë si faktorë ftues ose tërheqës për qytetarët shqiptarë, në të gjitha rastet”, deklaroi Tahiri.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri ripërsierit të njëjtën thirrje, duke shtuar se po punohet për shkurtimin e procedurave.

“Muajt e fundit kemi konstatuar se pikërisht këtë gjë e kanë bërë shumë qytetarë shqiptarë. Më duhet ta ripërsëris edhe njëherë për ata shqiptarë që tentojnë të kërkojnë të lënë Shqipërinë për azil, pasi për të gjitha rastet do të ndërmerren procedura të ndërlikuara të verifikimit të cilat në rastitn më të përgjithshëm zgjasin 2-3 muaj. Jemi duke tentuar t’i shkurtojmë këto procedura, por gjithësesi në pjesën më të madhe e dërrmuese të tyre, thuajse në të gjitha rastet, të gjithë këta shtetas do të duhet të rikthehen në vend”, tha ambasadori Hoffman.

Qarku i Kukësit ka qenë një nga zonat e para ku është shfaqur largimi masiv i shqiptarëve, fenomen ky i përhapur më pas në të gjitha zonat e Shqipërisë.

Top Channel