Fluksi i klandestinëve, vendet e BE-së diskutojnë masat për parandalimin

24/04/2015 00:00

Të mbledhur me urgjencë në Bruksel, siç kërkoi këtë fillimjavë Presidenti Donald Tusk, krerët e shteteve dhe qeverive europiane shqyrtuan veprimet e reagimit të Bashkimit Europian për të parandaluar trafikun e qenieve njerëzore e për të zgjidhur krizën humanitare, ndërkohë që 24 trupat e vetëm të gjetur, ndër gati 900 të mbyturit e fundjavës së kaluar në Mesdhe, përcilleshin me nderimet e fundit nga autoritetet italo-malteze.

Donald Tusk, President i Këshillit të Bashkimit Europian, u shpreh: “Liderët u pajtuan mbi fushat prioritare të veprimit: së pari, ata i kërkuan Përfaqësueses së Lartë që të përgatisë veprimet në mënyrë që të kapen dhe shkatërrohen rrjetet e trafikut përpara se ato të mund të veprojnë. Natyrisht, kjo do të bëhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të respektimit të të drejtave të njeriut. Ne do të rrisim bashkëpunimin kundër trafiqeve e kontrabandës, duke punuar përmes Europolit dhe me vendosjen e oficerëve të emigracionit tek vendet e treta. Në fund, ne do të bëjmë më shumë në mbrojtjen e refugjatëve. Bashkimi Europian do të ndihmojë vendet anëtare në linjën e përballjes me presionin dhe do të koordinojë rregullimin e më shumë njerëzve në Europë mbi baza vullnetare dhe me një mundësi për zhvendosje emergjente”.

Jean-Claude Juncker, Presidenti i KE-së, theksoi: “Fondet e akorduara për Triton shkojnë në 120 milionë euro çfarë korrespondon me shumën që ishte caktuar për Mare Nostrum. Unë jam shumë i kënaqur që shumica e kryetarëve të shteteve dhe qeverive deklaruan kontribute në aspektin e pajisjeve: anijeve, helikopterë e me radhë, kështu që ne do të forcohemi në burimet tona fizike dhe të personelit. Ne do të nisim me përvojën pilot sa i përket shqetësimit për zgjidhjen. Kjo do të bëhet në baza vullnetare. Për momentin në baza vullnetare, sepse ne nuk kemi një tekst ligjor që të na lejojë ta bëjmë atë në mënyrë të detyrueshme”.

Konkluzionet e samitit europian nuk kënaqën plotësisht Amnesty International, që mblodhi mijëra protestues përpara selisë së Këshillit. “Nuk shpëtuan jetët, por fytyrën e tyre me këtë operacion”, ishte reagimi i menjëhershëm i zyrës europiane të kësaj organizate, duke theksuar se “Triton nuk është zgjidhje, nëse nuk i ndryshohet mandati”.  

Polaku Donald Tusk u shfaq mjaft i sinqertë kur qartësoi që në nisje të samitit se “askush nuk mund të kishte iluzione për zgjidhjen brenda ditës”. Por, thirrjes për vendosmëri politike të Joseph Muscat, kryeministrit të Maltës, vendi i të cilit po përballet me fluksin e refugjatëve, iu përgjigjën më me solidaritet vendet nordike dhe ato të europës lindore. Presidenti francez Hollande u shpreh për ndihmë, por pa dhënë detaje.

Kryeministri britanik Cameron u deklarua “për mbështetje buxhetore ndaj stabilizimit të vendeve fqinje” e numëroi 3 helikopterë, dy anije patrullimi kufitare  dhe një nëndetëse, por me kusht që njerëzit e ndihmuar në det të përcillen, ndryshe nga ç’ parashikon e drejta ndërkombëtare, “në shtetin më të afërt të sigurtë europian dhe të mos riatdhesohen në Britaninë e Madhe”.

Martin Schulz, Presidenti i PE-së, argumentoi më herët se BE-së i nevojitej një sistem kuotash në këtë kuadër: “90% e emigrantëve e gjejnë veten të shpërndarë mes 10 vendeve, ku 50% e tyre e gjejnë veten në Suedi, Itali, Gjermani dhe Francë, kur jemi 28 shtete anëtare. Kur ka vend për 500,000 njerëz, është në rregull, por kur ne duhet t’i mbyllim ata në një numër më të vogël shtetesh, kjo nuk funksionon”.

Pavarësisht problemeve, Stefan Löfven, kryeministri suedez siguroi refugjatët për të drejtën ligjore të azilit, ndërsa homologu i tij, Mark Rutte, deklaroi se “Holanda ka gjithmonë vend për njerëzit që janë vërtet në nevojë dhe i plotësojnë kushtet”, por problemi qëndron se shumë vende të tjera nuk kanë të njëjtin solidaritet sipas tij. Për kryeministrin e Luksemburgut, Bettel, “emigrimi është një problem ndërkombëtar, jo vetëm europian”.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel