Parandalohet “sulmi terrorist” ndaj Vatikanit. Arrestohen 9, në kërkim 9 të tjerë

24/04/2015 00:00

Një operacion “blitz” i Policisë së Shtetit është zhvilluar mëngjesin e së premtes në Itali, kundër një rrjeti ndërkombëtar terroristësh me rrënjë islamike të lidhur me Al Kaedën. Agjentët kanë arrestuar 9 anëtarë të dyshuar të një organizate me seli në Sardenjë, gjatë operacionit antiterrorizëm që u shtri në 7 provinca.

Gjithashtu, sipas referencave nga Policia e Shtetit, saktësohet se urdhër arrestet e lëshuara në total janë plot 18. Të arrestuarit janë pakistanezë dhe afganë, të cilët kishin planifikuar atentate në vendet e tyre të origjinës, edhe pse hetuesit, bazuar mbi disa përgjime, nuk e përjashtojnë mundësinë që akte terroriste të planifikoheshin edhe në Vatikan.

Nga bisedat e përgjuara mes komponentëve të kësaj celule, është mësuar prania në Itali e një kamikazi dhe hipoteza se, që prej Marsit të vitit 2010, po projektohej një atentat në Vatikan. Lajmi është bërë i ditur nga prokurorët, gjatë një konference për shtyp në Prokurorinë e Kaljarit.

“Nuk ka prova, por ekziston një dyshim i fortë”, ka shpjeguar Mario Carta, kreu i forcave speciale “Digos” të Sassarit, qytet nga ku nisi hetimi.

Megjithatë, nga Vatikani kanë ardhur reagime që më shumë shprehin qetësi. “Jemi të gjithë të ekspozuar dhe kemi të gjithë frikë, por Papa Françesku është tepër i qetë”, ka thënë sekretari i shtetit të Vatikanit, kardinali Petro Parolin. “Mjafton të shohësh sesi i takon njerëzit, me qetësi dhe qartësi tepër të vendosur”.

Hetimet e Prokurorisë së Qarkut të kryeqytetit të Sardenjës, të koordinuar me Shërbimin operativ të Antiterrorizmit, janë shtrirë në 7 provinca. Janë gjithsej 18 persona të prekur nga urdhër arrestet, por vetëm 9 të ekzekutuara deri më tani, ndërsa të tjerët janë ende në kërkim. Ndër 9 të arrestuarit, 3 janë kapur në Olbia, dy në Civitanova Marche dhe të tjerët në Bergamo, Romë, Sora dhe Foggia.

Siç ka shpjeguar policia, operacioni është zhvilluar kundër “pjesëtarëve të një organizate të dedikuar ndaj aktiviteteve kriminale ndërkombëtare, që frymëzoheshin nga Al Kaeda, si dhe formacione të tjera ekstremiste radikale”. Policia ka konfirmuar gjithashtu se janë zbuluar kontakte të drejtpërdrejta me familjet e të afërmve të Osama Bin Ladenit, liderit saudit të Al Kaedës të vrarë në Abotabad në vitin 2011, nga një “blitz” i forcave amerikane “Navy Seal”.

Sa i përket sigurisë, ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano ka thënë se operacioni tregon “se sistemi ynë funksionon” dhe se “vendi ynë është i aftë të zhvillojë të tilla goditje”.

“Urimet më të mira për forcat tona antiterrorizëm, për policinë dhe për prokurorët, për këtë operacion të jashtëzakonshëm, – ka vijuar më tej Alfano gjatë transmetimit të një emisioni në Rai Tre, – pas të cilit është goditur një rrjet trafikantësh të qenieve njerëzore dhe personave të akuzuar për terrorizëm. Gjë që do të thotë se sistemi ynë funksionon”.

Alfano ka rikujtuar më pas se, deri më tani në Itali “janë dëbuar 33 persona të akuzuar për radikalizim dhe lavdërime të xhihadit”.

Top Channel