Emigrantët, Leskaj: Shkaku kryesor është varfëria

24/04/2015 00:00

Valentina Leskaj, kryetare e delegacionit shqiptar në Asamblenë
Parlamentare të Këshillit të Europës, theksoi të premten se “varfëria
dhe problemet që lidhen me zhvillimin ekonomik janë shkaqet kryesore të
emigracionit”.

Në fjalën e mbajtur në këtë Asamble, ku u diskutua gjerësisht për fluksin e shtuar të emigrantëve, Leskaj shtroi nevojën e zgjidhjeve të koordinuara, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. “Organizatat kriminale të trafikimit në Mesdhe po përdorin rrugët e vjetra, por po krijojnë dhe rrugë të reja. Ndaj kontributi i përbashkët i vendeve europiane është jetësor”, u shpreh kryetarja e delegacionit shqiptar.

Duke iu referuar disa deklaratave të fundit që, sipas saj, “nuk u shërbejnë zgjidhjeve”, ajo shtoi se “emigrantët janë pasoja, por ne duhet të adresojmë rrënjët e problemit”. “Çështja e emigrantëve nuk është thjesht çështje policimi kufitar. Kontrolli i kufijve është shumë i rëndësishëm, por kjo nuk mjafton dhe nuk është një zgjidhje e qëndrueshme”, u shpreh Leskaj.

Ajo kërkoi “një qasje të re politike jo vetëm për politikat e refugjatëve, por për zgjidhje të qëndrueshme që integrojnë shtete gjithashtu të qëndrueshme dhe programe zhvillimi”.

Top Channel