“Top Fest 12”, gjysmëfinalja në Prishtinë

24/04/2015 00:00

“Top Fest” është organizuar për herë të parë në Kosovë, ku publiku ka mundur të ndjekë gjysmëfinalen e dytë të edicionit të 12-të.

15 gjysmëfinalistë interpretuan drejtpërdrejt në Prishtinë, nën shoqërimin e orkestrës së Top Channel. Një ndër arsyet se, përse “Top Fest” ka shkuar kësaj here në Kosovë është padyshim pjesëmarrja e suksesshme ndër vite në edicionet e tij, të këngëtarëve nga Kosova.

“Është një gjë, që e e kemi menduar prej vitesh. Kishim dëshirë të ishim më të pranishëm në tregun kosovar. Jo sepse nuk kemi qenë; këngëtarët nga Kosova kanë qenë një pjesë shumë thelbësore e pjesëmarrësve në ‘Top Fest’. Por këtë herë menduam, që ardhja këtu do t’i bënte të ndiheshin edhe më mirë si publikun kosovar, ashtu dhe fansat e këngëtarëve, që marrin pjesë në këtë edicion”, tha Ergys Lubonja, regjisor.

“Top Fest gjithmonë ka qenë një urë lidhëse shumë e fortë mes muzikës që bëhet në Shqipëri dhe asaj që bëhet në Kosovë. Ne, prej kohësh kemi dashur që të vinim këtu dhe të bënim një shfaqje, qoftë gjysmëfinale, qoftë finale dhe më në fund ia arritëm qëllimit. Kam përshtypjen se ka qenë koha”, tha Ledion Liço, prezantues i edicionit të 12-të.

Natyrisht që për këngëtarët gjysmëfinalistë, interpretimi në një skenë kosovare ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe e veçantë.

“Sigurisht, është puna më e mençur, që është bërë ndonjëherë për te ne. Është e vërtetë, që nuk është e lehtë të realizohet një festival i tillë, ndaj kanë bërë një punë shumë të madhe, për më tepër duke marrë parasysh, që te ne mungojnë festivalet ku këndohet drejtpërdrejt”, tha Teuta Kurti, këngëtare.

“Më në fund po bëhet edhe në Kosovë. Jemi më afër se kurrë, në këtë rast edhe nga ana mediatike. Mua më është bërë shumë qejfi, që do të kisha përpara publikun e Kosovës, këtu në Prishtinë”, tha Eugent Bushpepa.

“Top Fest është një platformë shumë e mirë për t’u promovuar ne si grup, sidomos ne që jemi relativisht të rinj. Është mundësi e mirë per të hapur dyert për publikun”, tha Zhaba (Blerta Kosova).

“Shumë ide e mirë, megjithëse edhe më parë e kanë parë Top Channel pa ndalim, të gjithë nga Kosova. Shumë mirë që kanë filluar të inkuadrohen edhe këtu”, tha Lumi.

“Është një mundësi për publikun kosovar, që nuk mund të jetë i pranishëm kur ne performojmë drejtpërdrejt në Tiranë”, tha Ledri Vula.

“Shumë mirë të kemi ndienjën e Top Festit edhe në Prishtinë dhe publiku ta shijojë atë, që nuk ka mundur ta shijojë nga Tirana”, tha Ermal Fejzullahu.

Në fazën gjysmëfinale të “Top Fest 12” kanë interpretuar 30 artistë, prej të cilëve 3 janë përzgjedhur nga publiku përmes rrjeteve sociale, ndërsa pjesa tjetër nga bordi artistik i këtij festivali. Gjysmëfinalja e “Top Fest” në Kosovë do të transmetohet në Top Channel, ditën e mërkurë, më 29 Prill, në orën 21:00.

Top Channel