Thithja e investimeve estoneze, Qeveria prezanton fushat me interes

24/04/2015 00:00

Sipërmarrës nga Estonia po hulumtojnë mundësitë e investimit në Shqipëri, që sipas Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve aktualisht janë fare modeste.

Qeveria prezantoi në një forum me sipërmarrës estonezë potencialin që ofron vendi ynë në sektorë të konsideruar si parësorë, që nga energjia, bujqësia, turizmi apo industritë e teknologjive dhe informacionit.

Zv.kryeministri Niko Peleshi prezantoi nismën për të dixhitalizuar në një kohë të shpejtë një numër të madh shërbimesh publike duke i kontraktuar në treg, sektor në të cilin sipas tij Estonia mund të japë shembullin e saj.

“Ambicia jonë është të çojmë online rreth 300 shërbime deri në vitin 2017. Për këtë arsye kemi themeluar Fondin e Shqipërisë dixhitale, një fond prej 25 mln dollarësh afërsisht”, tha Peleshi.

“Shtimi i likuiditetit në sektorin e energjisë, rritja e arkëtimeve dhe financimin nga institucionet ndërkombëtare, jep mundësinë për cdo vend, edhe për një shtet të vogël të BE-së si Estonia, por me teknologji dhe njohje të jashtëzakonshme për t’u futur në një treg si Shqipëria”, deklaroi ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri.

Me Estoninë Shqipëria ka kryesisht vetëm shkëmbime tregtare, por edhe këto janë në shifra të papërfillshme.

Top Channel