Shpërndanin diploma false, prokuroria dërgon në gjykatë 5 ish-zyrtarë

24/04/2015 00:00

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim këtë të
premte 5 ish-zyrtarë dhe një shtetase, të cilët akuzohen për shpërndarje
të diplomave false kundrejt shumave të konsiderueshme.

Burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme bënë të ditur se, hetimi ka nisur në bazë të materialit referues nga Drejtoria Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave. Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka ngritur akuzat ndaj 6 personave: Afete Koka dhe Gramoz Shehu, ish-punonjës pranë Universitetit Jopublik “Kristal”, në Tiranë; Arbër Pelo, mësues në Fier; Andrea Haxha, drejtor i një gjimnazi publik në Fier; Aleksia Troka, sekretare në të njëjtin gjimnaz, si dhe për shtetasen Belita Zeqiri.

“Nga hetimet rezultoi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kishin krijuar një grup që siguronte diploma gjimnazi false, në këmbim të shumës prej 1800 euro. Sipas skemës së zbërthyer nga Prokuroria e Tiranës, rezulton gjithashtu se këta shtetas, 3 prej të cilëve nga Tirana, viheshin në kontakt me persona që kërkonin të pajiseshin me diploma të shkollës së mesme dhe më pas komunikonin me drejtorin dhe sekretaren e gjimnazit publik në Fier për t’i pajisur me dokumentin që dëshmonte se kishin përfunduar studimet e mesme”, thuhet në kërkesën e prokurorisë drejtuar gjykatës.

“Zyrtarët arsimore, pasi i përfshinin në mënyrë fiktive si të regjistruar në shkollën e tyre, u kërkonin personave që kërkonin diplomë gjimnazi të merrnin pjesë në Provimin Shtetëror të Maturës. Lidhur me rezultatet e kërkuesve të diplomës në këtë Provim, zyrtarët e gjimnazit ndërhynin në rezultatin përfundimtar, duke u dhënë atyre notë kaluese. Për këtë shërbim, të gjithë personat e përfshirë ndanin shumën prej 1800 eurosh për person”, thuhet më tej në kërkesë.

Të gjashtë personat, sipas prokurorisë, akuzohen për ‘korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’, ‘ushtrim të ndikimit ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘falsifikim të dokumenteve shkollorë’.

Top Channel