Gjiknuri: Shqipëria ofron potenciale të mëdha për investimet e huaja

24/04/2015 00:00

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, i cili mori pjesë të premten në Forumin e Biznesit të organizuar nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë së Estonisë, theksoi potencialet e shumta e të mëdha që Shqipëria ofron për investitorët e huaj.

Ndërsa vlerësoi se “vendi ynë mund të mësojë shumë nga Estonia”, Gjiknuri u fokusua tek mundësitë që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, konkretisht në sektorin energjitik dhe të industrive nxjerrëse. Ai i njohu investitorët me masat që po ndërmerren në sektorin e energjisë, për të krijuar një bazë sa më solide për investimet e ardhshme.

“Nga pikëpamja energjetike, ne kemi potencialin të bëhemi një aktor me rëndësi për Europën Juglindore. Pse?! Sepse jemi të bekuar me burime ujore. Shqipëria ka shumë burime ujore ende të pashfrytëzuara, që mund të jenë një hapësirë investimi për sipërmarrësit e huaj. Kemi disa projekte të mëdha, që janë në vazhdim e sipër, ashtu siç kemi edhe projekte të tjera të vogla”, u shpreh Gjiknuri.

Sipas tij, Shqipëria ka një treg të vogël të energjisë elektrike, por po bashkëpunohet me vendet e tjera, si Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, ndaj po investohet në interkonjeksione, për të krijuar infrastrukturën e duhur për t’u lidhur me gjithë këto vende.

“Kjo do të thotë që Shqipëria do të jetë e ndërlidhur me të gjitha vendet fqinje. Nga ana tjetër, ne do të liberalizojmë tregun e energjisë dhe këto ditë do të kalojmë në Parlament ligjin e ri të energjisë, i cili do të jetë një fillim për liberalizimin e tregut”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Në fjalën e tij, Gjiknuri u ndal edhe tek sektori hidrokarbureve, e ku sipas tij, projekti i gazsjellësit TAP do t’i krijojë shumë mundësi Shqipërisë për gazin dhe ndryshon gjithashtu hartën energjitike.

“Unë besoj që duke patur naftën si dhe gazin përmes TAP-it, do kemi dy elementë të tjerë të rëndësishëm. Kështu mund të bëjmë një miks, midis rezervave ujore dhe burimeve të gazit”, u shpreh Gjiknuri. Ai bëri të ditur se po punohet për planin e ri të veprimit për energjitë e rinovueshme, duke krijuar “oportunitete për investime edhe në këtë pjesë të sektorit”.

Top Channel