Kreditë e këqija, kërcënuese. Ekspertët sugjerojnë blerjen e tyre nga Qeveria

24/04/2015 00:00

Ekspertët lëshojnë alarmin se ngërci i kredive të këqija mund ta mbajë ekonominë shqiptare në një periudhë të gjatë depresioni me rritje të ngadaltë.

“Në qoftë se kjo çështje nuk do të zgjidhet në një periudhë më të shkurtër kohe, rreziku që ekonomia të vazhdojë të përkeqësohet është shumë i pranishëm”, tha Selami Xhepa, ekspert ekonomie.

Dy vitet e fundit, Qeveria dhe Banka e Shqipërisë kanë ndërmarrë një sërë masash për të ulur kreditë e këqija. Por efekti i tyre ka qenë minimal. Ardian Civici thotë se, në këto kushte është koha të shqyrtohen politika të tjera më radikale, përfshirë blerjen e kredive me probleme nga Qeveria.

“Këto janë politika, ku duke filluar që nga Banka e Shqipërisë dhe institucione të tjera financiare, ndërhyjnë në treg edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, apo institucionet ndërkombëtare, për ta pastruar tregun nga ato që quhen produkte financiare të infektuara, ose negative. Natyrisht ka disa elementë, një nga të cilat është edhe ndërhyrja e shtetit”, tha Ardian Civici, ekspert ekonomie.

“Mendoj që të gjitha mundësitë janë të hapura tashmë, duke filluar që nga shqyrtimi i çdo rasti konkret, por edhe i mënyrës sesi shteti shqiptar mundet të ndihmojë në lehtësimin e kushteve të sistemit bankar”, tha më tej Selami Xhepa.

Sistemi financiar është i kapur në kurth, ku sasia e mëdha e depozitave nuk kanalizohet si kredi për ekonominë. Kjo duket se ka krijuar një marrëdhënie tensioni mes bankave dhe biznesit.

“Sipërmarrja bankare e nivelit të dytë, jo vetëm që nuk reflekton për të kredituar sipërmarrjen shqiptare, duke e parë dhe trajtuar veten si monopol në këtë treg, por ajo kalon te qendrat e tyre një shumë prej 293 miliardë lekë transferime”, tha Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë, Tiranë.

Për ministrin e Financave, faji për këtë ngërç nuk është vetëm i bankave. Shkëlqim Cani mendon se edhe biznesi ka pjesën e tij.

“Të mos ngarkojmë vetëm sistemin bankar, që ka këtë kërkesë apo hall, por edhe biznesi ka hallet e veta, pasi duhet të paraqesë projekte gjithnjë e më solide, më të kompletuara, të cilat mund ta marrin më thjeshtë dhe pa probleme vulën e aprovimit nga sistemi bankar”, tha ministri Cani.

Këto deklarata, ekspertët dhe kreu i Financave i lëshuan gjatë një konference të posaçme shkencore mbi financimin e ekonomisë, që u organizua nga disa universitete private.

Top Channel