Në Laboratorin e Policisë Shkencore instalohet sistemi CODIS i FBI-së

24/04/2015 00:00

Duke filluar nga kjo e premte, Policia Shkencore Shqiptare ka të
instaluar në laboratorin e saj sistemin CODIS të FBI-së, që përfshin
bazën e të dhënave të Byrosë Federale të Hetimeve për ADN-të.

Gjithashtu, po sot, u zhvillua edhe ceremonia e diplomimit të ekspertëve biologjikë të Laboratorit të Policisë Shkencore , të cilët do të vënë në përdorim sistemin më të përparuar, CODIS.

I pranishëm në ceremoni, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako falenderoi ambasadorin amerikan në Shqipëri, Donald Lu, përfaqësuesit e FBI-së dhe të misionit ICITAP, për mbështetjen dhe instalimin e sistemit CODIS të FBI-së.

“Si çdo herë, dhe kësaj radhe, SHBA po tregon një vlerësim dhe kujdes të veçantë në mbështetjen që i kanë dhënë e po i japin policisë shqiptare, në modernizimin e saj me teknologji dhe trajnime brenda standardeve të partnerëve ndërkombëtarë”, tha Çako.

CODIS është një sistem i kombinuar i indeksit të AND-së dhe lejon identifikimin e vërtetë të të dyshuarve, personave të humbur apo personave të tjerë që bëhen objekt hetimi i organeve ligj-zbatuese. Ndaj për kreun e Policisë së Shtetit, lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve të rënda e korrupsionit, si një nga prioritet kryesore, është një betejë e vështirë që kërkon punë të palodhur dhe bashkëpunimin e të gjitha strukturave ligjzbatuese.

Ambasadori Lu, pasi uroi drejtorin e Policisë së Shtetit për detyrën e re, por të vështirë e fisnike, vijoi me një histori mbi fuqinë e AND-së ligjore në punën e policisë.

“Në vitin 1992, në një apartament në Florida u vranë nënë e bijë dhe zbulimi i autorit u bë pas 11 vitesh nëpërmjet AND-së në një shtet tjetër. Kjo Ilustron fuqinë e AND-së për të gjetur kriminelët jo vetëm në një vend të vetëm. Imagjinoni tani fuqinë e këtij mjeti policor, nëse baza e të dhënave do të përmbante informacion të kriminelëve nga e gjithë bota”, u shpreh Donald Lu.

Sipas tij, baza e të dhënave të FBI-së për AND-të, e instaluar tashmë në Shqipëri, mund të ketë akses në informacionon e AND-ve prej 190 laboratorëve në 50 vende përqark botës. “Kjo bazë ka ndihmuar deri tani në mbështetjen e 250 mijë hetimeve policore”, shtoi ambasadori amerikan, duke shprehur besimin se kjo teknologji e re do ta ndihmojë policinë shqiptare në luftën kundër grupeve të sofistikuara të krimit të organizuar.

 

FOTO GALERI
1/1

Top Channel