“21 Qershori”, Kosova takon gratë kryefamiljare të Tiranës

24/04/2015 00:00

Një takim me gra kryefamiljare i ka shërbyer kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, të shohë një realitet tjetër, që nuk shihet as nga zyrat dhe as nga ekranet e medieve.

Pas rreth një ore takim me gratë kryefamiljare, pa praninë e gazetarëve, fjalia e parë e doktor Kosovës ishte një pohim i sinqertë.

“Njeriu kujton se i di të gjitha, mirëpo kur prek realitetin, kupton sesa pak informacion ka pasur për një problem shumë të mprehtë. Nuk është se bëra ndonjë premtim, por këto kërkuan çdo gjë”, tha kandidati i PD, Halim Kosova.

Gratë kryefamiljare, që rrisin të vetme fëmijët, kanë si kërkesë kryesore ndihmën financiare nga Bashkia: për shkollimin e fëmijëve, lehtësi në kontrollin shëndetësor dhe në lëvizjen me mjetet publike, por mbi të gjitha lehtësimin e kritereve për marrjen e ndihmës sociale.

“Ndihma ekonomike, në çdo bashki që shkojmë nuk e marrim fare, për shkak se na thonë nuk plotësoni kushtet për ta përfituar. Se cilat janë kushtet, e dinë vetëm këta, në një kohë që të gjithë pushtetarët na kanë premtuar përfitimin e saj”, tha një prej grave pjesëmarrëse.

“Është një fatkeqësi e jashtëzakonshme me të vërtetë, kur familja ‘gëzohej’ që kishte një fëmijë me të meta mendore, sepse nëpërmjet tij mund të merrte një ndihmë ekonomike. Kjo vërtet është shumë e dhimbshme për popullin tonë. Megjithatë, këto janë sinjale që të mobilizojnë dhe ta forcojnë më shumë bindjen për vendimin që unë kam marrë”, tha kandidati për kryebashkiak i Tiranës, Halim Kosova.

Në këtë periudhë, përpara nisjes së fushatës zyrtare, doktor Halim Kosova po takon kategori të ndryshme sociale për të dëgjuar kërkesat e qytetarëve dhe përfshirjen e tyre në programin e vet për Bashkinë e Tiranës.

Top Channel