Meta: Varfëri ka, por shqiptarët të mos bien pre e mashtrimeve

24/04/2015 00:00

Kryetari i LSI, Ilir Meta, në mbledhjen e komitetit drejtues të kësaj partie ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe shoqërore në vend, përfshirë eksodin e shqiptarëve drejt Gjermanisë.

Fillimisht në fjalën e tij, Meta ka vlerësuar marrëveshjen e Partneritetit Strategjik të nënshkruar me Shtetet e Bashkuara.

“Vlerësoj marrëveshjen e Partneritetit Strategjik me Shtetet e Bashkuara. Ajo tregon se Shqipëria është një aleate strategjike e SHBA dhe kontribuese e rëndësishme në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare”, ka thënë Meta.

Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian ka qenë një tjetër çështje e prekur prej tij, të cilën kreu i Kuvendit e ka cilësuar një proces të panegociueshëm për vendin dhe shqiptarët.

Me rëndësi në këtë drejtim, ka vijuar Meta, është edhe bashkëpunimi për paqen në Ballkan, si dhe zhvillimi ekonomik dhe rritja e investimeve për ta kthyer në një rajon me prosperitet.

Sa për zgjedhjet vendore, Meta ka përsëritur deklaratat e mëhershme të tij se, ato do të jenë historike për faktin se do të mbahen me reformën e re administrativo-territoriale.

“Zgjedhjet e 21 qershorit janë historike pasi realizohen me reformën e re dhe jo më me 400 bashki, por me 61. Tani do të duket aftësia e kryetarëve të bashkive për të realizuar jo vetëm tendera, por politika që hapin vende pune”, ka thënë Meta.

Ndërsa sa i takon qeverisjes qendrore, kreu i LSI ka thënë se, ajo është në rrugën e duhur, por reformat e marra prej saj duan kohë që të japin efekt.

Eksodi i shqiptarëve drejt Gjermanisë ka qenë një tjetër çështje e prekur nga Meta, për të cilën ai ka thënë se është një fenomen i manipuluar dhe i keqpërdorur politikisht.

“Megjithatë, keqpërdorimi i azilit nga grupet kriminale nuk do të thotë se varfëria nuk ekziston. Por ajo nuk është një sfidë vetëm shqiptare. Situata duhet kuptuar drejt dhe nuk duhet keqpërdorur për qëllime politike”, ka shtuar Meta.

Top Channel