Të gjithë në mbështetje të Pavlinit. Ish-banori i “Big Brother”, Pavlin Polia ka mbetur pa shtëpi si pasojë e zjarrit, që ka shkrumbuar banesën e tij në Theth.

Banorët e zonës, miq dhe mbështetës të tij janë sensibilizuar duke e ndihmuar, madje kanë hapur edhe një llogari bankare, si dhe bëjnë thirrje për ndihmë në një faqe në Facebook.

Bujtina e tij ka mirëpritur turistë vendas e të huaj, e lajmi për djegien e saj ka prekur shumë njerëz. Shpresojmë që të gjithë të japin ndihmesë, në mënyrë që në vizitën e ardhshme në Theth të jetë ringritur shtëpia e Pavlinit.

* Tre mijë libra për Bibliotekën Popullore të Ulqinit. Kjo është dhurata e Zonjës së Parë, Odeta Nishani, me rastin e Ditës botërore të Librit. Ky donacion i shtëpive botuese dhe Institutit Albanologjik do të ndihmojë sadopak lexuesit shqiptarë, të kenë libra në gjuhën e tyre.

* Shtetet e Bashkuara valëvisin një flamur shqiptar në nder të Ismail Kadaresë. Në ceremoninë, e cila zhvillohet në Capitol Hill nderohen kongresmenë e senatorë të shquar, por këtë herë do të vlerësohet një personalitet i letrave shqipe. Flamuri do të valëvitet jashtë Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

* Gjirokastra është një ndër vendet më të mrekullueshme në Europë për t’u vizituar. Ky është rekomandimi i “Huffington Post” në listën me 10 qytete europiane.

“Qyteti në jug të Shqipërisë përmban një arkitekturë tipike të periudhës osmane, të mbrojtur nga UNESCO, që do të thotë se është mjaft i vjetër dhe mjaft i bukur. Ejani këtu për kulturën; qëndroni për ushqimin”.

Top Channel