Ministrja e Brendshme maqedonase, Gordana Jankullovska akuzoi liderin e LSDM-së opozitare Zoran Zaev, se po rrezikon sigurinë e vendit përmes publikimit të disa bisedave telefonike që sipas saj janë të montuara.

Jankullovska mohoi autenticitetin bisedës së përgjuar telefonike mes saj dhe shefit të shërbimit sekret të publikuar nga opozita, ku ajo dëgjohet duke thënë se nuk ekzistojnë prova për dënimin e 11 shqiptarëve me 156 vite burg në rastin ‘Sopoti’.

“Në mungesë të ofertës konkrete për qytetarët, Zaev ka vendosur të realizojnë një skenar të rrezikshëm për Republikën e Maqedonisë dhe me të gjitha forcat tenton të shkaktojë probleme, duke përdorur materiale të siguruara në mënyrë joligjore që përbëjnë vepër penale. Prezantimi i këtyre materialeve bëhet në mënyrë selektive, jashtë kontekstit dhe duke i montuar, ngjitur, shkurtuar dhe plotësuar ashtu siç i pëlqen atij, me qëllim që të krijojë një realitet virtual që nuk përputhet me gjendjen faktike në terren”, deklaroi Jankullovska.

Në disa biseda të përgjuara që janë prezantuar deri tani, ku sipas opozitës dëgjohet zëri i shefes së policisë, shpesh përdoren terma të rëndë për funksionarët e partisë shqiptare në pushtet, BDI, por edhe për shqiptarët në përgjithësi. Megjithatë, Jankullovska tha se me zyrtarët shqiptarë në qeveri ka raporte korrekte.

“Raportet tona në planin profesional janë korrekte. Këtë e dëshmon edhe takimi i sotëm me kolegun Bekim Neziri, në një ngjarje ku prezatojmë bashkarisht disa projekte për qytetarët. Kjo flet se VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja punojnë për interesat e qytetarëve që na kanë votuar dhe presin t’i realizojmë projketet që i kemi premtuar para tyre”, tha Jankullovska.

Lidhur me sulmin ndaj policisë maqedonase në fshatin Goshincë, Jankullovska tha se ky rast nuk duhet të nënvlerësohet dhe bëri të ditur se policia po punon me shumë seriozitet për zbardhjen e tij.

Top Channel