Pushohet çështja ndaj Gjin Gjonit. Prokuroria: Gjykata nuk lejoi shtyrjen e afateve

24/04/2015 00:00

Prokuroria e Elbasanit vendosi të pushojë çështjen hetimore ndaj gjyqtarit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij Elona Çaushi, për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “refuzimit për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive”.

Ky vendim, sipas organit të akuzës, ka ardhur pasi Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit vendosën më 12 shkurt 2015 të mos lejojnë shtyrjen e afateve të hetimit. Kjo kërkesë është bërë nga Prokuroria pasi që prej regjistrimit të procedimit penal, më 2 maj 2014, nuk ka ardhur asnjë përgjigje e letër-porosive të dërguara në Francë dhe Gjermani.

“Nga ana e Prokurorisë në mënyrë të vazhdueshme janë dërguar letër-kujtesa nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë për kërkesat për ndihmë juridike, por nuk është marrë asnjë përgjigje prej autoriteteve kompetente të shteteve të Gjermanisë dhe të Francës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Mësohet se, pavarësisht pushimit të hetimeve, çështja mund të rihapet në momentin që vijnë letër-porositë nga Gjermania dhe Franca, lidhur me origjinën e transaksioneve të kryera dhe veprimet e tjera, për të cilët është kërkuar informacion nga të dy shtetet.

Top Channel