Shqipëri-Kosovë, marrëveshje e re kundër korrupsionit

24/04/2015 00:00

Shqipëria dhe Kosova shumë shpejt do të arrijnë një marrëveshje të re bashkëpunimi në luftën e përbashkët kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera negative.

Ministri i Shqipërisë për Çështjet Vendore, njëkohësisht kryetar i Komitetit Kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi, gjatë qëndrimit në Prishtinë është takuar me ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, me të cilin ka diskutuar detajet e marrëveshjes së përbashkët në një të ardhme të afërt.

“Gjetëm hapësira bashkëpunimi që shumë shpejt do t’i materializojmë në marrëveshjen për bashkëpunim në lidhje me shkëmbimet, sidomos të informacioneve midis dy shteteve, sa i takon pastrimit të parave apo deklarimit të aseteve, elementë shumë të rëndësishëm në forcimin e luftës kundër korrupsionit në të dy vendet tona”, deklaroi Çuçi.

“Gjetëm pika të përbashkëta të përkushtimit të dy shteteve tona për vendosjen e rendit dhe ligjit, fokusimin e luftës kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin në këto fusha. Bashkëpunimi do të konsistojë në shkëmbimin e përvojave të mira që kemi, me prokurorë, gjyqtarë e hetues, si dhe me shkëmbimin e evidencave. Marrëveshja do të përfshijë edhe pika të veçanta për shkëmbimin e informacioneve, në mënyrë që ata që kryejnë krime në Kosovë të mos gjejnë vend në Shqipëri dhe e kundërta”, tha nga ana tjetër ministri Kuçi.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, ministri Çuçi, i shoqëruar nga deputeti Bashkim Fino dhe nga ambasadori Qemal Minxhozi, kanë takuar edhe zyrtarë të lartë në ministrinë e Pushtetit Lokal për të thelluar bashkëpunimin e komunave kufitare për të aplikuar bashkarisht në fondet e BE-së.

Top Channel