Villeneuve shpall Alonson “më të mirin… që gjithsesi ka gabuar”

24/04/2015 00:00

“Fernando Alonso i viteve të para te Ferrari ishte piloti më i mirë që kam parë në Formula 1. Problemi është se, teksa të gjithë thoshin se ishte më i miri, botërorët i fitonte dikush tjetër. Sigurisht, është e qartë që diçka nuk ka shkuar më së miri”.

Ky është mendimi i Jacques Villeneuve, i cili ka folur në një intervistë të gjatë për të përditshmen spanjolle “AS”. Kampioni i botës në vitin 1997 ka folur mbi të gjithë pilotët në botërorin aktual, por është ndalur veçanërisht tek ish-ferraristi, për të cilin sipas kanadezit problemet kanë nisur që prej vitit 2010, kur humbi titullin në garën e fundit në Abu Dhabi.

“Në 2010-n ai mund të kishte fituar, megjithatë nuk arriti të parakalonte Petrovin. Strategjia e ekipit ishte e gabuar, por ai duhej t’i kishte luajtur ndryshe kartat në dispozicion. Duhej të kishte rrezikuar, edhe nëse gabonte, sepse nëse do t’ia arrinte qëllimit do të kishte hyrë në histori si piloti i gatshëm për të dhënë gjithçka, vetëm që të fitonte”.

Në fakt, të gjithë e dinë përfundimin. Spanjolli u bllokua dhe Vettel u shpall kampion për herë të parë, titull që u pasua edhe nga 3 të tjerë radhazi.

Sa i përket vitit 2014 dhe vendimit për t’u larguar nga Ferrari… “Sigurisht që gaboi. Mund të qëndronte edhe për 3 apo 4 vite të tjera, për t’u tërhequr më pas, ose ndoshta për të kaluar te McLaren. Fernando duhet vlerësuar për atë që është, por duhet thënë edhe që në disa raste ka vepruar gabim”.

Top Channel