Kontrata e Capellos irriton kritikët e Federatës ruse. Shumë parà dhe privilegje

24/04/2015 00:00

7 milionë euro në vit, pa përfshirë shpërblimet e ofruar për rezultatet e arritura, deri në Korrik të vitit 2018, me klauzolën për të prishur kontratën kurdoherë pa penalizim, ndërkohë që Federata ruse do të duhet të paguajë pagën, edhe në rast se e shkarkon përpara kohe.

Kjo është gjithçka është firmosur mes Fabio Capellos, trajnerit të suksesshëm italian dhe Federatës ruse, e publikuar për herë të parë nga gazeta e pavarur “Novaya Gazeta”.

Zbulimi i marrëdhënieve kontraktuale të trajnerit italian të kombëtares ruse të futbollit ka shkaktuar polemika të menjëhershme në një vend, i cili prej kohësh kishte ngritur dyshime në lidhje me privilegjet e ofruara ndaj trajnerit friulan, i cili nuk është se bëri ndonjë mrekulli në Botërorin e Brazilit 2014, kur Rusia u eliminua që në grup kundrejt Belgjikës dhe Algjerisë; ndërkohë që po zhvillon një sezon kualifikuesesh për në “Euro 2016” në ngritje, por që aktualisht ndodhet në vendin e tretë të grupit G, pas Austrisë dhe Suedisë.

Kontrata është nënshkruar në vitin 2014 dhe, fakti që është publikuar nga gazeta e njohur për investigime aspak komode për një vend superfuqi si Rusia, pritet të shtojë edhe më tepër zërat kritikë ndaj drejtuesve të Federatës ruse të Futbollit (RFU).

Megjithatë, presidenti i Federatës, Nikolai Tolstykh ka thënë se në rast se nuk do të sigurohet kualifikimi për në Europianin e Francës, Capello do të shkarkohet për “shkelje të kontratës”. Ministri rus i Sporteve, Vitaly Mutko, firma e të cilit shfaqet në disa faqe të kontratës, ka refuzuar të përgjigjet përpara pyetjeve nga mediet.

“Federatat sportive janë organizata të pavarura gjatë zhvillimit të aktiviteteve të tyre”, është cituar të ketë thënë në mënyrë të kufizuar ministri, nga disa portale informative ruse. Ndërkohë, i biri Pierfilippo Capello i trajnerit, njëkohësisht edhe agjent i tij, është shprehur se “nëse kontrata është bërë publike, mund të lexoni se palëve iu ndalohet të deklarojnë detaje. Është e pabesueshme, sesi ka mundur të dalë në mediet ruse”.

Top Channel