Miljaniç: Nuk kërkojmë as 1 metër nga territori i Kosovës

24/04/2015 00:00

Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Radovan Miljaniç ka deklaruar se vendi i tij dëshiron të ketë marrëdhënie pozitive me Kosovën dhe se nuk ka pretendime territoriale ndaj saj.

“Me Kosovën dhe me të gjithë fqinjët e tjerë, ne duam te kemi raporte të mira fqinjësore. Ne nuk duam të marrim asnjë metër nga territori i Kosovës”, ka deklaruar Miljaniç.

Gjatë një ligjërate në një universitet privat të Prishtinës, diplomati malazez ka vlerësuar marrëveshjen e 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë si shumë të rëndësishme, duke e cilësuar si “gur themeli për pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve”.

Miljaniç ka deklaruar gjithashtu se, koha kur Mali i Zi, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia do të kenë ambasada dhe konsullata të përbashkëta nuk është e largët.

Ndërsa sa i takon Gjykatës Speciale, i dërguari i Podgoricës zyrtare ka nënvizuar se, Kosova duhet të ballafaqohet me të kaluarën dhe se krimet duhet të dënohen.

“Unë si diplomat i huaj nuk mund të mbaj anën e askujt. Nuk jam as pro pushtetit, as pro opozitës. Mendimi im është se lidershipi i Kosovës ka mençurinë e duhur dhe do të gjejë zgjidhjen e drejtë. Pa një ballafaqim të plotë me të kaluarën nuk mund të ketë progres për Kosovën. Krimi është krim dhe meriton drejtësi dhe ndëshkim”, ka thënë Miljaniç.

Megjithatë, ai ka shprehur bindjen e tij se Kosova do të dijë ta përballojë e ta tejkalojë këtë proces, pasi ka pasur probleme më të vështira të cilat i ka kaluar me sukses.

Top Channel