Rama në Gjermani, kërkon ekspertizë për arsimin profesional

24/04/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Shtutgart, kryeqendra e landit të tretë më të madh në Gjermani, është takuar me kryeministrin e qeverisë së Baden Vuttemberg, Winfred Kretschmann.

Bashkëpunimi më i madh në disa sektorë si dhe ngritja e një grupi pune për të vlerësuar këto mundësi ishte në qendër të takimit. Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij e vuri theksin tek shkëmbimi i eksperiencave, siç është rasti i adoptimit të sistemit dual në arsimin profesional.

Vetëm në vitin e parë të adoptimit të këtij sistemi, sipas kryeministrit, ka patur një rritje me 40 për qind të të rinjve që hyjnë në arsimin profesional.

“Ne po shohim dita-ditës, në Shqipëri, përfitimin e të mësuarit prej jush, për shembull nga sistemi dual në arsimin profesional. Vetëm në vitin e parë të adoptimit të këtij sistemi, falë bashkëpunimit me Gjermaninë dhe marrjes së eksperiencës gjermane, ne e kemi parë një rritje 40% të të rinjve që hyjnë në arsimin profesional. Po ashtu, kemi konstatuar që të rinjtë që mbarojnë arsimin profesional kanë 20% më shumë shanse, sesa të rinjtë që mbarojnë arsimin e mesëm të përgjithshëm për të gjetur një punë dhe vetëm 1% më pak sesa ata që mbarojnë universitetin. Ky është një shembull modest që tregon sesa shumë gjëra ne mund të bëjmë në Shqipëri, nëse na jepet mundësia për të mësuar nga eksperiencat më të përparuara në Europë dhe posaçërisht në Gjermani”, deklaroi Rama.

Ndërkohë, kryeministri Kretschmann vuri në dukje arritjet mjaft pozitive të qeverisë shqiptare deri më tani, duke premtuar një mbështetje në vazhdim nga ana e Gjermanisë.

“Që kur keni marrë detyrën, i nderuar zoti kryeministër, ju keni çuar në mënyrë vendimtare përpara reformat. Këtu bëjnë pjesë reformat e administratës publike, e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformat në fushën e taksave, tatimeve dhe tregut të punës. Ne jemi të ndërgjegjshëm që rruga që keni marrë nuk është e thjeshtë, por jam i sigurt që durimi dhe të rezistuarit do të shpërblehen. Ne dëshirojmë që me të gjitha fuqitë tona t’ju mbështesim juve”, deklaroi Kretschmann.

Më pas kryeministri Rama zhvilloi edhe një bashkëbisedim me investitorët në biznesin e automjeteve në këtë land, ku bëri një panoramë të zhvillimeve në Shqipëri, reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, sikundër iniciativat në kuadrin ligjor për lehtësimin e klimës së bërjes biznes dhe investimeve.

Në takim u ftuan investitorët gjermanë që operojnë në këtë sektor për të eksploruar mundësitë e investimeve në Shqipëri, ku sistemi fiskal dhe kostot e punës janë përparësi. Po ashtu u ofrua e gjithë përkrahja e qeverisë shqiptare për suksesin e investimit në Shqipëri.

Top Channel