“NYT”: Obama i fshehu Renzit vdekjen e pengut italian

24/04/2015 00:00

Duket se vdekja e vullnetarit italian Giovanni Lo Porto në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit gjatë një operacioni me dron të CIA-s kundër disa terroristëve, duket se nuk do të kalojë në heshtje nga pala italiane.

Kjo, pasi sipas “New York Times”, presidenti amerikan Barack Obama edhe pse e dinte për vdekjen e pengut nuk i tha gjë kryeministrit italian Matteo Renzi gjatë takimit të së premtes së kaluar në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas gazetës prestigjoze amerikane, presidenti i Shteteve të Bashkuara ia komunikoi lajmin Renzit me një telefonatë të realizuar të mërkurën, më 22 prill.

Gjithësesi, vështirë se vetë autoritetet italiane do të kishin mundur të bënin diçka për lirimin e Lo Porto. Kjo, pasi prova e fundit që vullnetari nga Siçilia ishte gjallë daton vjeshtën e kaluar dhe që atëherë për të nuk kishte pasur më asnjë informacion.

Nga ana tjetër, zona në kufi mes Afganistanit dhe Pakistanit ka qenë gjithmonë objektiv i sulmeve ushtarake. “Aksione të tilla e kanë bërë edhe më të vështirë mbledhjen e informacioneve në terren”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Italisë, Paolo Gentiloni.

Top Channel