Polonia u ndalon hyrjen motoçiklistëve pro-Putin

24/04/2014 00:00

Ministria e Jashtme polake nuk e ka lejuar një bandë motoçiklistësh të lidhur me presidentin rus Vladimir Putin që të hyjnë në Poloni.

Banda Ujqit e Natës kishte planifikuar të shkonte në këtë vend javën e ardhshme si pjesë e një udhëtimi nëpër Europë, për të përkujtuar 70-vjetorin e Luftës së Dytë Botërore.

Por kryeministrja polake Ewa Kopacz e ka cilësuar nismën në fjalë një “provokim”.

Nënkryetari i Ujqërve të Natës, Felix Chernyakhovsky, ka deklaruar megjithatë se banda ende ka në plan ta realizojë udhëtimin.

“Gjërat mbeten ashtu siç ishin. Ne do ta fillojmë turin tonë sikurse kishim planifikuar”, ka thënë kreu i bandës për agjencinë e lajmeve “Interfax”.

Ujqit e Natës janë bërë gjithashtu objekt sanksionesh nga Shtetet e Bashkuara për përfshirje në luftën e Krimesë dhe për ndihmë në rekrutimin e luftëtarëve separatistë për të mbështetur rebelët në lindje të Ukrainës.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme ruse ka reaguar e “irrituar” ndaj vendimit të palës polake.

Por qeveria polake ka deklaruar se tre grupe të tjera motoçiklistësh rusë do të lejohen të hyjnë në vend, ndërsa ka sqaruar se vendimi për Ujqit e Natës është marrë pasi grupi nuk kishte saktësuar itinerarin dhe numrin e pjesëmarrësve në nismën e tij.

Top Channel