Kili, hiri vullkanit shkakton probleme në fluturimet ndërkombëtare

25/04/2015 00:00

Vullkani “Calbuco” që u ‘zgjua nga gjendja e fjetur’ prej disa dekadash dhe shpërtheu dy herë brenda pak orëve ditën e enjte, ka shkaktuar probleme serioze në fluturimet ndërkombëtare.

Shumë linja ajrore kanë anuluar fluturimet, ndërsa të tjera janë vonuar me orë të tëra për shkak të vështirësisë së krijuar nga reja e hirit e krijuar mbi vullkan, e cila është ngritur deri në 20 kilometra në ajër.

Hiri vullkanik është tejet i rrezikshëm për avionët, pasi grimcat e imta mund të dëmtojnë motorët.

Kompania australiane “Qantas” u detyrua të kthejë pas një avion, i cili kishte udhëtuar plot 5 orë nga Australia, kur hasi vështirësi dhe u detyrua të kthehej përsëri në Sydney.   

Gjithashtu, edhe dy fluturime nga Shtetet e Bashkuara për në Buenos Aires u kthyen në aeroportin e tyre të nisjes. Ndërsa dy avionë të “Air France Fluturimi” të nisur nga Parisi dhe me destinacion Santiagon në Kili u detyruan të ulen në Sao Paulo të Brazilit. Një zëdhënës i kompanisë tha se të gjithë udhëtarët do të qëndrojnë në Brazil, të paktën edhe ditën e shtunë.

Buenos Aires ndodhet rreth 2 mijë kilometra nga vullkani, por përfaqësues të “Air France” thanë se edhe në këtë largësi ekziston rreziku.

Top Channel