Militantët e ISIS rrëzojnë avionin e forcave siriane

25/04/2015 00:00

Një avion luftarak i forcave siriane është rrëzuar pranë aeroportit kryesor ushtarak në jug të Sirisë, – bëri të ditur Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Aeroplani u rrëzua në lindje të aeroportit Khalkhalah në provincën Sweida. Kreu i Observatorit, Rami Abdel Rahman tha se ende nuk dihet fati i antarëve të ekuipazhit, ndërsa militantët e ISIS shkruan në llogarinë e tyre në “Twitter” se ‘kishin kapur pilotin’.

Ndërkohë, televizioni shtetëror sirian, duke cituar një zyrtar ushtarak, konfirmoi rrëzimin e avionit për shkak të një problemi teknik, ndërsa ishte duke kryer një manovër stërvitore dhe se kërkimet për pilotin janë duke vazhduar ende.

Në sulmin e tij të parë të madh në provincën Sweida më 11 prill, ISIS u përpoq të sulmojë aeroportin, por forcat qeveritare arritën t’u bënin ballë militantëve.  

Në muajin shkurt të këtij vitit, ISIS rrëzoi një avion luftarak jordanez, i cili po kryente sulme ajrore në Siri si pjesë e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja kundër Shtetit Islamik. Pilot jordanez, i quajtur Maatsi al-Kassasbeh, u kap dhe më pas u dogj i gjallë.

Top Channel