Jemen, ish-presidenti Saleh bën thirrje për qetësi

25/04/2015 00:00

Ish-presidenti i Jemenit u ka bërë thirrje rebelëve Houthi që të tërhiqen nga territori që kanë pushtuar, në këmbim të ndaljes së sulmeve ajrore nga Arabia Saudite.

Ali Abdullah Saleh ua drejtoi apelin e tij fraksioneve të ndryshme jemenase, ndërsa sauditëve u kërkoi të hyjnë në një proces paqeje të ndërmjetësuar nga OKB.

Avancimi i rebelëve Houthi detyroi presidentin aktual të Jemenit, Mansour Hadi që të largohej për në Aden dhe më pas në Riad, kryeqyteti i Arabisë Saudite.

Kjo e fundit ka ndërmarrë që prej muajit të kaluar një ofensivë ajrore për të rivendosur rendin në Jemen. Autoritetet saudite deklaruan të martën se e kishin arritur qëllimin e tyre, por shtuan se operacionet ajrore do të vazhdonin për sa kohë do të ishte e nevojshme.

Ndaj dhe avionët e koalicionit kryen një seri sulmesh të reja ditën e premte. Luftime të ashpra mes rebelëve dhe militantëve besnikë të Presidentit Hadi vazhduan ndërkohë në Aden.

Në një mesazh të transmetuar në kanalin televiziv “Yemen Today”, Saleh u bëri thirrje rebelëve që të pranojnë të gjitha vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe t’i implementojnë ato, në këmbim të ndërprerjes së “agresionit të koalicionit”.

“I bëj thirrje kujtdo, milicive dhe Al Kaedës, si dhe atyre milicive besnike ndaj Hadi, që të tërhiqen nga të gjitha provincat, sidomos nga ajo e Adenit”, apeloi Saleh.

Thuhet se ish-presidenti, i rrëzuar përgjatë së ashtuquajturës Pranvera Arabe, ka ndikim të madh tek njësitë ushtarake që luftojnë me rebelët Houthi.

Top Channel